Në një hetim të ri nga Prokuroria e Fieri, ish drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, i arrestuar pak ditë më parë për falsifikim të dokumentave për një pronë në Seman, rezulton të jetë i përfshirë në një tjetër aferë për çështjen e tjetërsimit të pronave, këtë radhë në Levan.
Sipas prokurorisë, ish-Drejtor i Kadastrës në Fier, në bashkëpunim me vartësin e tij me profesion hartograf Emiljano Ruko, ka regjistruar në emër të Ervin Habilajt një sipërfaqe prej 71, 7 hektarësh në Levan, me dokumente false. Nga hetimet ka rezultuar se Habilaj, ishte kompensuar në vitin 2018 me 53.800.000 lekë por në vitin 2023, ka shkuar në Kadastër dhe ka marrë certifikatë pronësie për të njëjtën pronë.
Pas regjistrimit, disa prej pasurive dyshohet se janë tjetërsuar nëpërmjet shitjes, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme. Hetimi vijon për verifikimin e këtyre transaksioneve, gjurmimin e vlerave monetare dhe përcaktimin e destinacionit të tyre.
Gjatë hetimit, bën të ditur prokuroria, u sekuestrua toka dhe gati 716 mijë euro, të depozituar në llogarinë bankare të Ervin Habilajt. Po kështu janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve.
Për këtë çështje Gjykata e Fierit ekzekutoi këtë të shtunë masën e arrestit në burg për Ertis Shehun dhe Ervin Habilajn, ndërsa u la në masën detyrim paraqitje hartografi, Emiljano Ruka.
Kjo është masa e dytë e ‘arrestit në burg’ për ish kreun e Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, pasi gjykata e la në burg edhe për përvetësimin e tokave në Seman. Në burg gjithashtu mbetën edhe ish drejtori tjetër i Kadastrës së Fierit, Bardhyl Kapaj dhe juristi, Piro Çela. Ata akuzohen për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, pastrim të parave dhe falsifikim dokumentash.
Ndërsa për biznesmenin Kastriot Hasko, përfituesin e dyshuar të 1143 hektarëve tokë me letra false në bregdetin e Semanit, gjykata ndryshoi masën, nga arrest në burg, në arrest shtëpie.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Gjykata e Fierit ka lënë në burg ish-drejtorët e Kadastrës Ertis Shehu e Bardhyl Kapaj ndërsa për biznesmenin Kastriot Hasko ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë me “arrest në shtëpi” për një skemë të dyshuar të tjetërsimit të pronave në zonën e Semanit.
Sipas Prokurorisë, biznesmeni Kastriot Hasko dyshohet se ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të regjistruar toka në bashkëpronësi me katër persona të tjerë dhe më pas për t’ua shitur ato dy shoqërive.
Prokuroria ka sekuestruar 76 pasuri me një sipërfaqe totale prej 1,143 hektarësh, si dhe 150 mijë euro.
Njoftimi i plotë
1. Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim E.S., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
2. Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim P.Ç., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
3. Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim B.K., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
4. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal shtrëngues ndaj personit nën hetim K.H., nga masa e sigurimit “Arrest në burg” në atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale. Masë e cila do të vuhet nga personi nën hetim në banesën e tij
5. Urdhërohet personi nën hetim të mos largohet nga adresa e banimit dhe të mos ketë kontakte me persona të tjerë përveç pjesëtarëve të familjes.
6. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim K.H., nëse nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet për efekt të ndonjë mase tjetër sigurimi apo vendimi dënimi.
7. Urdhërohet Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
8. Ngarkohet Prokuroria dhe Policia Gjyqësore të mbikëqyrin dhe kontrollojnë zbatimin e vendimit të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nga personi nën hetim K.H.
9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 (pesë) ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.








Komente
Komento