Një debat i çastit, disa shtyrje dhe më pas goditje fatale me kaçavidë. Kështu u mbyll jeta e një 25-vjeçari në Pavia, në një ngjarje që ka tronditur jo vetëm qytetin italian, por edhe vendlindjen e tij në Favara.

Viktima është Gabriele Vaccaro, punonjës poste, i cili ndërroi jetë në spital pas plagëve të rënda në qafë dhe bark. Për ngjarjen janë shoqëruar në komisariat, një i mitur egjiptian dhe dy të rinj me origjinë shqiptare.

Ngjarja, sipas mediave italiane, ndodhi në një parkim në qendër të qytetit, shumë pranë Basilica di San Pietro in Ciel d’Oro. Viktima kishte kaluar mbrëmjen me dy miq në zonën e lokaleve të natës. Sipas hetimeve paraprake, aty mund të ketë nisur një debat me një grup tjetër të rinjsh, ndoshta për motive banale, madje flitet edhe për një vajzë.

Rreth orës 03:00, kur po ktheheshin te makina në parkimin “Cattaneo”, situata degjeneroi. Grupi tjetër i ndoqi dhe provokimet vazhduan. Nga fjalët kaluan në përplasje fizike dhe në pak sekonda gjithçka doli jashtë kontrollit.

Njëri prej agresorëve nxori një kaçavidë dhe goditi Vaccaron në qafë. Më pas e qëlloi sërish, duke e plagosur rëndë edhe në bark. Një nga miqtë e tij mbeti i plagosur lehtë në brinjë dhe në krah.

Fillimisht, shokët nuk e kuptuan sa e rëndë ishte situata. E futën në makinë dhe e çuan në shtëpi, por sapo arritën, gjendja e tij u përkeqësua me shpejtësi. Humbja e madhe e gjakut i detyroi të telefononin urgjencën.

25-vjeçari u dërgua me urgjencë në spitalin Ospedale San Matteo, por nuk arriti të mbijetojë. Ai ndërroi jetë rreth orës 06:00 të mëngjesit.

Policia është vënë në ndjekje të autorëve, një grup prej 3 deri në 5 personash, të cilët u larguan me vrap nga vendi i ngjarjes. Kamerat e sigurisë mund të kenë kapur momentet kyçe.

Tre persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje: mes tyre një i mitur egjiptian, i dyshuar si autor i goditjes fatale, dhe dy të rinj italianë me origjinë shqiptare. Deri tani nuk ka masa konkrete ndaj tyre.

Në Favara është shpallur ditë zie, ndërsa familja dhe miqtë e kujtojnë si një djalë të qetë dhe të apasionuar pas futbollit.