Problematikës së futbollit shqiptar i shtohet edhe një tjetër akuzë. Sikur të mos mjaftonin abuzimet e ndryshme financiare apo trukimet e ndeshjeve, sipas ekspertit të ekonomisë, Hekuran Vladi, në futbollin shqiptar pastrohen para. Eksperti tregon edhe rolin e Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe bën krahasimin me funksionin e presidentit të këtij institucioni me role të tjera në Shqipëri.
Fenomeneve të trukimeve dhe abuzimeve në futbollin shqiptar i shtohet edhe një akuzë tjetër, ajo e pastrimit të parave. Këtë e thotë ish-drejtori i Agjencisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Hekuran Vladi, sipas të cilit, në futbollin shqiptar pastrohen para. Eksperti në luftën e pastrimit të parave në Shqipëri pohon se janë ka individë që ofrohen pranë klubeve të futbollit, duke marrë edhe rolin e presidentit, dhe përfitojnë në mënyra të ndryshme.
Në futbollin shqiptar, përveç shkeljeve të tjera financiare dhe ligjore, ka edhe pastrim parash. Origjina e këtyre parave është kriminale, duke filluar që nga evazioni fiskal, kontrabanda dhe produktet e krimit të organizuar. A-ja e gjithë problematikës të organizimit të aktivitetit të klubeve të futbollit shqiptar është mungesa e një ligji.
Hekuran Vladi
Zoti Vladi gjithashtu tregon edhe rolin e Federatës Shqiptare të Futbollit, duke e renditur presidentin e këtij institucioni në rangun e guvernatorit të Bankës apo presidentit të Shqipërisë.
Rol të madh këtu patjetër që ka edhe federata në të cilën është e organizuar futbolli, e cila nuk ka treguar të jetë jo vetëm kërkuese, por as korrektuese e asnjë aktiviteti të organizimit të klubeve të futbollit. Zgjedhja e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit është shoqëruar me më shumë debat se edhe brenda politikës. Zgjedhja e tij, krahasuar me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë apo të Presidentit të Shqipërisë, ka bërë më shumë zhurmë.
Hekuran Vladi
Sipas ekspertit në luftën e pastrimit të parave, klubet që administrohen nga bashkitë janë të vetmet ku nuk pastrohen para, në këto klube mund të ketë vetëm abuzime financiare.