Pagesa me lekë në dorë vijon të jetë zgjedhja e parë për shqiptarët, pavarësisht se vitet e fundit janë shtuar edhe ato elektronike. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për muajin qershor 2026, vlera e parasë në qarkullim jashtë bankave kaloi për herë të parë pragun e 5 miliardë eurove.

Më konkretisht, në qershor qarkullonin në cash 5 miliardë e 415 milionë euro, ose 683 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky stok i lartë i parave fizike që qarkullon në vend, tregon se përdorimi i cash-it vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në transaksionet e përditshme në vend, e mbështetur kjo edhe në të dhënat ndër vite. Sipas Bankës së Shqipërisë në 10-vjeçarin e fundit paraja që qarkullon jashtë bankave është më shumë se 2-fishuar.

Për të reduktuar cash-in në ekonomi, për herë të parë këtë vit qytetarët nuk mund të bëjnë blerje me vlerë më të madhe se 5 mijë euro në cash, për bizneset u ul nga 1500 euro në jo më shumë se 1 mijë euro, ndërsa strukturat akomoduese, institucionet publike dhe sektori i transportit, kanë si detyrim të ofrojnë si opsion edhe pagesat me kartë.

Fluksi i lartë i cash-it, krijon hapësira për evazion dhe informalitet pasi është i pakontrolluar qarkullimi, por në këtë periudhë rritja e parasë fizike vjen edhe efekt sezonal prej turizmit apo edhe remitancave që vijnë në cash.