Pas takimit Rama-Meta, Petrit Vasili negociator i koalicionit
Rama dhe Meta zhvilluan një takim për 90 minuta kokë më kokë në Kryesi. Takimi erdhi pas kushtit të Metës për vazhdimin e koalicionit me PS. Pas takimit dy liderët e koalicionit takuan bashkëpunëtorët më të ngushtë, ndërsa më pas në Kryeministri u ngjit Petrit Vasili, i cili duket se luajti rolin e negociatorit. Pas përfundimit të takimeve në Kryeministri, Vasili u takua sërish me Metën. Komentuesi-Ramës:Dil në debat me Bashën e Metën VIDEO
Dita e sotme ka qenë e mbushur me takime intensive në koalicionin PS-LSI pas propozimeve të Metës dhe kushtit për rinovimin e koalicionit.
Fillimisht në mëngjes kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me aleatin kryesor në bashkëqeverisje, kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta për 90 minuta.
Takimi nisi në orën 09:00 në Kryesinë e Kuvendit dhe përfundoi në orën 10:30, ndërsa në tryezën e diskutimit ishte padyshim propozimi i Metës për zgjidhjen e krizës politike.
Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta pas takimit kokë më kokë janë zhvendosur në zyrat përkatëse për të takuar grupin e të besuarve të tyre për t'u konsultuar për situatën politike pas propozimeve të kreut të LSI.
Në Kryeministri Rama u takua me bashkëpunëtorët e ngushtë, Veliaj, Tahiri, Bushati, Peleshi, Xhafaj dhe me kryetarin e grupit të PS, Gramoz Ruçi.
Ndërsa përballë Kryeministrisë, Ilir Meta u takua me Ministrin e Drejtësisë, në përfundim të së cilit Petrit Vasili u drejtua për në Kryeministri.
Petrit Vasili duket se ishte negociatori mes palëve, pasi u takua me Tahirin, Bushatin, Peleshin, Ruçin, Xhafajn dhe Veliajn, ndërsa më pas 40' kokë më kokë me kryeministrin Rama.
Pas përfundimit të takimeve në Kryeministri, Vasili u ngjit në Kryesi për të takuar Metën dhe pas disa minutave u larguan të dy së bashku.
Tashmë mbetet për t'u parë se çfarë do të prodhojnë takimet intensive të ditës së sotme brenda koalicionit.