Ndërsa Kuvendi i Kosovës vijon të mbetet i pakonstituuar dhe tensionet mes opozitës dhe Lëvizjes Vetëvendosje u shoqëruan edhe me përplasje fizike e verbale në sallë, Partia Demokratike e Kosovës akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po bllokon konstituimin e institucioneve. Sipas saj, përmes bllokimit të konstituimit të Kuvendit, Albin Kurti po ua pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit që u është dhënë nga qytetarët. Ajo i bëri thirrje kreut të Vetëvendosjes që të lejojë konstituimin e Kuvendit dhe funksionimin normal të institucioneve, duke theksuar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe jo për tensione të reja.

“E kemi një thirrje për Albin Kurtin: ta kthejë vendin në binarë kushtetues, ta konstituojmë Kuvendin, t’u lejojë deputetët të ushtrojnë funksionet e tyre, ta lë Republikën që të funksionojë. S’po kërkojmë marrëveshje për PDK’në, po kërkojmë funksionalizimin e shtetit. Mesazhi ynë është i thjeshtë: Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të reflektojnë. Republika është mbi secilin prej nesh, Kushtetuta është mbi çdo parti. Të bisedojmë nga kjo shtëpi me një ftesë të drejtpërdrejtë: Ejani në Kuvend, ejani t’i konstituojmë Kuvendin", tha deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku në një konferencë për shtyp. 

Ajo sqaroi e partia e saj do t’i drejtohet Inspektoratit Policor të Kosovës, pasi pretendon se pjesëtarë të sigurisë së afërt që shoqëronin deputetë të Vetëvendosjes kanë cenuar integritetin fizik të disa deputetëve të PDK-së.

"Sot pamë edhe disa shfaqje jo të këndshme në sallë në Kuvend,. Kishte deputetë të shoqëruar nga pjesëtarë të sigurisë, mbrojtjes së afërt, të cilët cenuan edhe integritetin fizik të disa prej deputetëve të PDK. Edhe për këtë çështje ne do t’i ndërmarrim masat në Inspektoratin Policor të Kosovës” tha ajo

Çitaku tha se PDK kishte kërkuar zyrtarisht një ditë më parë vazhdimin e seancës konstituive, por akuzoi kryesuesin e seancës, Avni Dehari, se po refuzon ta thërrasë atë në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet dhe Rregulloren e Kuvendit.


Lajmi kryesor:

Ngërçi politik në Kosovë, përplasje fizike dhe verbale në Kuvend mes deputetëve! Opozita-Vetëvendosjes: Thërrisni seancën konstituive (VIDEO)