Pas krijimit të shoqërisë “Fincantieri Albania”, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka vijuar axhendën në Itali me një vizitë në kantierin detar të kompanisë FINCANTIERI në Muggiano, një nga qendrat kryesore evropiane ku ndërtohen anije ushtarake.

Ministri pa nga afër mënyrën se si projektohen, ndërtohen dhe integrohen platformat moderne detare, ndërsa u njoh edhe me standardet që kompania italiane zbaton në organizimin e kantierit, kontrollin e cilësisë dhe menaxhimin e proceseve industriale.

Sipas Nufit, vizita kishte si synim njohjen me përvojën e FINCANTIERI për ta vënë atë në funksion të projektit të përbashkët “Fincantieri Albania”, që do të zbatohet në Vlorë.

“Vizita shërbeu si një mundësi shumë e mirë për shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me praktikat më të mira të FINCANTIERI, në funksion të zhvillimit të kapaciteteve industriale në Shqipëri dhe zbatimit të projektit të përbashkët ‘Fincantieri Albania’ në Vlorë”, shkroi ministri në rrjetet sociale.

Vizita vjen një ditë pasi në Gjenova u nënshkrua Akti i Themelimit dhe Statuti i shoqërisë “Fincantieri Albania”, kompania e përbashkët që do të menaxhojë kantierin detar të Pashalimanit pas modernizimit të tij. Projekti synon të sjellë në Shqipëri kapacitete të reja në industrinë detare përmes bashkëpunimit me gjigantin italian të ndërtimit të anijeve.