Kryeministri Edi Rama, në të njëjtën linjë me presidentin amerikan Donald Trump, ka njohur zyrtarisht kreun e opozitës Juan Guaido si presidentin e përkohshëm të Venezuelës. Rama i uron Guaidos dhe venezuelasve sukses në luftën e tyre ndaj pushtetit ilegjitim që ka shndërruar vendin e tyre në “një ferr të vërtetë”, duke iu referuar kështu udhëheqjes të presidentit aktual Nicolas Maduro.
Postimi i kryeministrit Edi Rama
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e njohu zyrtarisht dje kreun e opozitës së Venezuelës, Juan Guaido, si president të përkohshëm.(Lexo këtu) Kjo lëvizje e tij është përkthyer si një lëvizje strategjike për të rritur presionin ndaj presidentit venezuelian Nicolas Maduro, pasi ai është shprehur në një deklaratë se do të përdorte plotësisht peshën e fuqisë ekonomike dhe diplomatike të Shteteve të Bashkuara në favor të rivendosjes së demokracisë venezueliane.
Trump inkurajoi më tej edhe qeveritë e tjera në hemisferën perëndimore, që edhe ato ta njohin Juan Guaidon si presidentin e përkohshëm të Venezuelës.
Në vazhdën e kësaj atmosfere, mijëra protestues antiqeveritarë demonstruan ditën e djeshme në rrugët e Karakasit për rrëzimin e presidentit Nicolas Maduro. Ndërsa protestuesit hidhnin objekte dhe thërrisnin “Maduro ik”, policia bllokoi shumë rrugë dhe ura.
Pas rizgjedhjes së tij vitin e kaluar, që u konsiderua gjerësisht e paligjshme, presidenti Maduro po përballet konkretisht me kritika globale në rritje.