Kur duhet më pak se një javë që komisioni i Venecias të jap vlerësimin e tij për ligjin e Vettingut që mban pezull zbatimin e reformës në drejtësi një tjetër ligj që rregullon funksionimin e sistemit të drejtësisë përfundon në Kushtetuese.
 
Dy shoqata të gjyqtarëve Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtare e Gjykatësve kanë paditur në kushtetuese ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
 
Sipas kreut të unionit të gjyqtarëve Gerd Hoxha ky ligj është antikueshtues dhe për këtë shkak duhet të pezullohet.
 
"Cënohet parimi i sigurisë juridike lidhur me ndërprerjen e mandateve të kryetarit të Gjykatës së Lartë, por edhe rretheve, por Kushtetuta se lejon, në ligj ndërpritet, kjo cënon të drejtën e karrierës për gjyqtarët.
 
Shpresojmë që Gjykata Kushtetuese të jetë në lartësinë e saj dhe të pezullojë ligjin
" tha Gerd Hoxha.
 
ReportTv ka siguruar një kopje të padisë së depozituar në Kushtetuese ku në 58 faqe gjyqtarët kanë renditur pretendimet e tyre se përse kërkojnë të pezullohet ky ligj.
 
Ata pretendojnë se me hyrjen në fuqi të këtij ligji padrejtësisht ndërpriten mandatet e kryetarëve të gjykatave duke sjell një vakum në funksionimin e sistemit të drejtësisë.
 
Një tjetër pikë e kontestuar është dhe ajo që lidhet me Këshillin e Lartë të Drejtësisë ku sipas pretendimeve të gjykatësve ligji i ri shkrin këtë institucion duke krijuar probleme që lidhen me karrierën e tyre si emërime, transferime apo procedime.
 
Gjyqtarët nëpërmjet kësaj padie kërkojnë të shfuqizohet pengesa që i krijohet atyre për të ushtruar të drejta si mësimdhënie apo marrje pjesë në konferenca të ndryshme kundrejt pagesave monetare.