Shqipëria do të vijojë të mbështesë të gjitha përpjekjet për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Kështu deklaroi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun izraelit, Gideon Sa’ar.
“Shqipëria mbetet e angazhuar fort për paqen, dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ne kemi mbështetur dhe do të vijojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet që synojnë arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, si dhe garantimin e sigurisë. Në këtë kontekst, dënojmë me forcë veprimtaritë destabilizuese të vazhdueshme të Iranit dhe të grupeve të lidhura me të, si dhe sulmet e tij të fundit në mbarë Lindjen e Mesme, të cilat kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Duke pasur parasysh politikat dhe veprimet e Iranit kundër Shqipërisë, por edhe kundër partnerëve tanë, ne kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Gjithashtu, krahas vendeve dhe partnerëve të tjerë, Shqipëria e ka shpallur Iranin shtet sponsorizues të terrorizmit dhe Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike organizatë terroriste”, tha Hoxha.
Lajmi kryesor:
Ministri i Jashtëm izraelit në Tiranë, takime me Hoxhën e Peleshin: Shqipëria një mike e vërtetë e Izraelit! Axhenda vijon me kryeministrin Rama, Gideon Sa'ar: Ka një busull morale të palëkundur!





