Linjat ajrore dhe aeroportet kanë kërkuar pezullimin e sistemit të ri të kontrolleve biometrike në kufijtë e Bashkimit Europian gjatë pikut të sezonit veror të pushimeve, duke thënë se disa avionë po nisen gjysmë bosh dhe pasagjerët po përballen me radhë që zgjasin deri në pesë orë.
Në një letër drejtuar Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kompanitë ajrore dhe aeroportet kërkuan që të krijohet mundësia për pezullimin e kontrolleve të këtij sistemi, nga frika se situata do të përkeqësohet ndjeshëm gjatë sezonit të ngarkuar të verës.
“Kemi arritur në një pikë kritike”, thanë organizatat e industrisë ACI Europe, që përfaqëson aeroportet, Airlines for Europe dhe Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), që përfaqëson kompanitë ajrore.
“Pasagjerët janë detyruar tashmë të presin për periudha të gjata jashtë terminaleve dhe në zonat e ekspozuara të aeroportit, sepse pikat e kontrollit kufitar nuk janë në gjendje të përpunojnë mbërritjet mjaftueshëm shpejt.
Kompanitë ajrore përballen me avionë gjysmë bosh në momentin e mbylljes së portës së imbarkimit, ndërsa pasagjerët mbeten të bllokuar në radhët e kontrollit kufitar.”
Sipas organizatave, disa avionë janë detyruar të vonojnë ngritjen në pritje të pasagjerëve, ndërsa në orët më të ngarkuara radhët arrijnë deri në pesë orë. Në raste të tjera, pasagjerët kanë mbetur në tokë pasi nuk kanë arritur të kalojnë kontrollet në kohë.
Organizatat i kërkuan Komisionit Europian që t'u lejojë aeroporteve të “pezullojnë plotësisht” kontrollet “sa herë që numri i pasagjerëve tejkalon kapacitetin operacional të pikave të kontrollit kufitar” gjatë muajve korrik dhe gusht.
Sipas tyre, autoritetet kufitare, aeroportet dhe kompanitë ajrore ndodhen “nën një presion të papërballueshëm” dhe nevojitet “një ndërhyrje e menjëhershme përpara se situata të përkeqësohet më tej gjatë sezonit kulmor të udhëtimeve verore”.
Sistemi, i cili po zbatohet gradualisht që prej tetorit të kaluar, kërkon që shtetasit jo të Bashkimit Europian të regjistrojnë gjurmët e gishtërinjve dhe një fotografi në aeroportin e destinacionit. Megjithatë, zbatimi i tij është përballur me probleme të konsiderueshme. Greqia ka pezulluar kontrollet biometrike për udhëtarët britanikë deri në shtator për të shmangur problemet gjatë sezonit veror.
Në maj, policia franceze pezulloi përkohësisht kontrollet shtesë në portin e Doverit, ndërsa javën e kaluar drejtuesi i aeroporteve të Romës tha se sistemi do të duhet të pezullohet për shtetasit jo të BE-së për të shmangur një situatë problematike gjatë verës.
“Disa udhëtarë ndërkombëtarë po rishqyrtojnë udhëtimet drejt Europës për shkak të perspektivës së vonesave të gjata në kufi. Kjo po dëmton reputacionin e Europës, turizmin europian dhe lidhjet ajrore. Në rrezik janë edhe reputacioni i Bashkimit Europian dhe besimi në kuadrin rregullator.” thanë organizatat.
Sipas letrës, edhe pse rregullat u japin vendeve njëfarë fleksibiliteti për të shmangur një pjesë të kontrolleve, sërish po krijohen “radhë të tepërta”.
Organizatat shtuan se duhet të ekzistojë fleksibiliteti për të vazhduar pezullimin e kontrolleve edhe pas shtatorit, kur rregullat që lejojnë shmangien e një pjese të kontrolleve pritet të hiqen gradualisht, “në rrethana të jashtëzakonshme të përcaktuara qartë”.
Sipas tyre, aeroportet europiane pritet të përpunojnë rreth 40 milionë pasagjerë më shumë gjatë korrikut dhe gushtit krahasuar me dy muajt e mëparshëm.
“Komisioni Europian dhe shtetet anëtare duhet të përballen me realitetin e situatës aktuale dhe me atë që sistemi ynë i transportit ajror do të përballet në javët në vijim”, thuhet në letër.
Organizatat theksuan se mundësia për pezullimin e kontrolleve të reja kufitare është e nevojshme derisa të ketë personel të mjaftueshëm për funksionimin e sistemit dhe derisa pikat automatike të kontrollit të jenë mjaftueshëm të besueshme.
Komente


