Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në BE, duke e cilësuar ritmin e vendit mbresëlënës. Në konferencën për shtyp pas samitit në Bruksel, Von der Leyen tha se unioni po përgatitet edhe vetë për zgjerimin, ndërsa theksoi se reformat mund të zhbllokojnë 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme.
“Zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike për Europën dhe sot kemi një momentum të vërtetë. Nëse shohim të gjitha negociatat që kemi në zhvillim, jemi në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur mbi 100 kapituj këtë vit, dhe ky është një përparim i jashtëzakonshëm. Ky proces vjen në një moment vendimtar. Bota përreth nesh, siç thatë edhe ju, po ndryshon me shpejtësi. Sa më e fortë dhe më e bashkuar të jetë Europa, aq më mirë do të jemi në gjendje të përballojmë sfidat. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë këtë moment dhe ta kthejmë në përparim drejt anëtarësimit. Dhe kjo kërkon angazhim nga të dyja palët. Po shohim përparim inkurajues. Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës. Në fillim të këtij muaji prezantuam udhërrëfyesit për të dyja vendet. Këta udhërrëfyes përcaktojnë qartë prioritetet dhe etapat kryesore për punën që na pret, dhe dëshirojmë që edhe vendet e tjera të ndjekin këtë shembull. Në të njëjtën kohë, po përgatisim edhe vetë Bashkimin tonë. Kemi shqyrtuar se çfarë nënkupton zgjerimi për institucionet, politikat dhe buxhetin tonë, sepse zgjerimi duhet të jetë një sukses si për shtetet aktuale anëtare, ashtu edhe për ato që do t’i bashkohen Bashkimit. Por mendoj gjithashtu se nuk duhet të presim anëtarësimin për t’i afruar më shumë qytetarët dhe ekonomitë tona. Pikërisht për këtë bëhet fjalë me integrimin gradual dhe Planin tonë të Rritjes. Ne dëshirojmë t’u ofrojmë vendeve të Ballkanit Perëndimor akses në më shumë përfitime të tregut tonë të vetëm përpara anëtarësimit. Për këtë arsye, po hapim sektorë të caktuar, ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor ndërmarrin reformat përkatëse. Për të garantuar kushte të barabarta konkurrimi, ky proces reformash shoqërohet me financim nga Bashkimi Europian. Dhe tashmë po shohim rezultatet. Katër partnerë të Ballkanit Perëndimor janë bërë pjesë e SEPA-s. SEPA, Zona e Vetme e Pagesave në Euro, mundëson transferimin e parave më shpejt dhe me kosto më të ulët. Po ashtu, po shënojmë përparim edhe në nismën ‘Roaming si në shtëpi’. Muajin e kaluar nisën negociatat për këtë çështje me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Këto janë përfitime konkrete për qytetarët, edhe përpara anëtarësimit. Dhe ne dëshirojmë të shkojmë edhe më tej. Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisim dialogët për integrimin gradual me secilin prej partnerëve, në mënyrë të përshtatur për secilin […] Dhe këto janë reforma që sjellin ndryshime konkrete. Ato mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme. Por ekziston edhe një pjesë tjetër thelbësore e këtij rrugëtimi. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Edhe në këtë drejtim po shohim përparim. Tregtia brenda rajonit është rritur ndjeshëm, kualifikimet po njihen gjithnjë e më shumë përtej kufijve, ndërsa roaming-u rajonal ua bën më të lehtë njerëzve të qëndrojnë të lidhur me njëri-tjetrin dhe korsitë e gjelbra po e bëjnë tregtinë më të shpejtë. E gjithë kjo tregon se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal. Në fund të fundit, suksesi i zgjerimit do të matet përmes ndryshimeve. Ky është rezultati që duhet të sjellë projekti ynë europian. Kemi një mundësi historike për ta bërë këtë realitet. Bashkimi Europian është i gatshëm të bëjë pjesën e tij dhe jam e bindur se së bashku mund ta kthejmë momentumin e sotëm në përparim të qëndrueshëm. Ju faleminderit shumë”, tha Von der Leyen.
Lajmi kryesor:
Mbyllet samiti BE-Ballkan në Bruksel, reformat zhbllokojnë 338 mln euro për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut! Von der Leyen: Tirana drejt BE-së me ritëm mbresëlënës!










