Pasaporta e munguar e
fëmijëve të Xhanfise Kekos

Pasaporta e munguar e<br />fëmijëve të Xhanfise Kekos
Ai ka rendur “pas gjurmëve” të fëmijëve të filmave, edhe pse kanë kaluar tre apo katër dekada nga protagonizmi i tyre në kinemanë shqiptare. Meqë askush nuk u kujtua kurrë më për ta, një studiues të paktën, s’mund të rrinte pa i kërkuar aktorët vet djali i regjisores së talentuar të filmave për fëmijë, Xhanfise Kekos. Tek e fundit edhe fëmijët e filmave e konsideronin veten fëmijë të nënës së tij, “teta Xhanos”.

Ky ishte emri me të cilin e pagëzuan aktorët e vegjël regjisoren Xhanfise Keko. Kështu i flasin edhe sot ata që janë rritur e burrëruar e i merr malli për të, sepse ajo nuk është më në këtë jetë. Gjatë kohës që regjisorja Xhanfise Keko(1928-2007) i merrte fëmijët të luanin filmat, i adoptonte shpirtërisht dhe psikologjikisht si një nënë e vërtetë. Në librin e shkruar nga i biri i regjisores Ilir Keko, aktorët janë mbledhur të gjithë së bashku dhe tashmë janë pajisur me një pasaportë personale dhe një pasaportë artistike në krah të saj. “Edhe sepse 30 apo 40 vjet më pas, siç ndodhi në rastin tim, mund t’i ritakosh ata”, thotë me modesti Iliri, pavarësisht se ka bërë një punë që i ka kapërcyer kufijtë autobiografik për nënën e tij, sepse lë pas një libër me vlerë për historinë e kinemasë.

“Ishte 22 dhjetor 2010, kur Denisa, vajza ime që jeton prej shumë vitesh në Madrid, më tha në telefon se kishte dërguar në postën time elektronike një letër të titulluar: “Ti dhe Unë… gjithmonë bashkë”. Pesë minuta më vonë, gjithçka lexova në atë “letër dashurie nëna Xhanos në parajsë”, dërguar nga mbesa e saj në trevjetorin e ndarjes nga jeta, atë mëngjes ishte - befasuese, emocionuese, mrekulluese, mallëngjyese. Pse jo, edhe ngacmuese për mua, që, vetëm një çast më vonë, më shkoi mendja tek një fotografi e vitit 1984 ku shquan mes të saj nëna ime, rrethuar nga dhjetëra fëmijë të filmave… “Pse të mos i mbledh unë fëmijët e filmave që nuk arriti t’i mblidhte sa ishte gjallë, nëna ime”?... - pyeta veten, dhe, aty për aty, vendosa”, rrëfen Ilir Keko në parathënien e këtij libri. Kështu ai ka hapur bllokun e telefonave ku nëna e tij ruante në disa faqe të veçanta emrat e fëmijëve të aktivizuar në trembëdhjetë filmat e realizuar (11 filma artistikë dhe 2 dokumentarë me elementë artistikë), kryesisht ata në role kryesore. “As më pak e as më shumë, plot 45 emra”. Ishte radha e zbulimit të vendndodhjes së tyre.

Rezultati?... 16 jetonin në Shqipëri, 29 jetonin jashtë Shqipërisë. Ku?... Itali, Greqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Izrael, Amerikë, Kanada...”, tregon Iliri, duke shtuar se “pas identifikimit të vendndodhjes, fillova të kërkoj lidhjet e tyre. Nuk munguan përgjigjet. Ato tashmë do të mbesin në historinë e kinemasë. Fëmijët e teta Xhanos kanë sjellë kujtime të mrekullueshme. “Plot 24 muaj kam shkruar mesazhe, kam pritur përgjigje, kam rishkruar mesazhe, kam ripritur përgjigje. Pa u lodhur, pa u mërzitur, sepse vazhdoj ta vlerësoj nënën time për përkushtimin si artiste dhe se i dua të gjithë fëmijët e filmave të saj, aq sa i deshi ajo deri në fund të jetës. Me këto dy motive brenda meje, mund të dorëzohesha unë përpara vështirësive të karakterit objektiv apo subjektiv?!..., shkruan në parathënie të librit Ilir Keko, duke argumentuar se “… Mbi të gjitha, më mbante gjallë bindja se, ata, të gjithë, e donin dhe e vlerësonin “teta Xhanon”, po aq sa dhe ajo ata. E përthyer në kujtesën e fëmijëve ky libër mbetet me të vërtetë një nga librat më të sinqertë që është shkruar për një njeri-artist.

Shkrimi u publikua sot (21.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024