Tema për Demarkacionin po vazhdon që nga viti 2015, kur edhe ishte arritur marrëveshja për këtë çështje. Një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës thonë se me këtë marrëveshje Kosova ka humbur territor prej 8 mijë hektarësh, ndërkohë që të tjerët konsiderojnë se Marrëveshja për demarkacionin është bërë në mënyrë të duhur dhe se ajo duhet të ratifikohet. Marrëveshjen e kanë mbështetur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Qeveria e Kosovës të martën e ka proceduar këtë marrëveshje Kuvendit të Kosovës, por duke ia bashkangjitur edhe raportin e Komisionit të ri Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, e cila ka konstatuar që, megjithatë, me këtë marrëveshje, Kosova ka humbur territor.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në vend, ka deklaruar se do ta mbështetë ratifikimin e Marrëveshjes të vitit 2015, me ç’rast, siç është thënë, do të përfundonte izolimi i Kosovës dhe do të mundësohej liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
Partneri tjetër i koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lider i së cilës është kryeministri Ramush Haradinaj, me 9 deputetët e saj në Kuvend, po e kundërshton marrëveshjen dhe zoti Haradinaj ka theksuar se Komisioni e ka vërtetuar që Kosova ka humbur territor.
Kundër Marrëveshjes për demarkacion është shprehur edhe Nisma për Kosovën, gjithashtu një prej partnerëve të koalicionit qeverisës, e cila në Kuvendin e Kosovës ka 6 deputetë.
Marrëveshjen po e kundërshton edhe subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, e cila në Kuvend i ka 32 deputetë.
Derisa çështja e Demarkacionit të mos zgjidhet, qytetarët e Kosovës do të presin edhe më tej, me muaj të tërë, për takimet e caktuara në ambasadat evropiane në Prishtinë, e më pas, në diell e në borë, në radhë, për t’i dorëzuar dokumentet për viza. Në “dokumente”, përveç atyre personale, përfshihen edhe dëshmitë për posedimin e mjeteve të mjaftueshme financiare, dëshmia që në Kosovë janë në marrëdhënie të sigurt të punës dhe të ngjashme.
Megjithatë, një numër i madh i udhëheqësve shtetëror, i deputetëve, por edhe i njerëzve me funksione të larta, nuk e kanë të nevojshme pritjen në radhë për viza, sepse kanë siguruar shtetësinë e Shqipërisë dhe pasaportat, për të cilat nuk vlen regjimi i vizave me Bashkimin evropian. Në mesin e tyre janë edhe ata që po e kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion.
Përmes dekretit të Presidentit të Shqipërisë, shtetësia u është ofruar një numri të madh të politikanëve nga Kosova.
Në muajin prill të këtij viti, shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, Anita, e më pas edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.
Më herët, shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, anëtarët e udhëheqjes dhe deputetët e kësaj partie: Albin Kurti, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Glauk Konjufca, Liburn Aliu, si dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Gjithashtu, shtetësinë e Shqipërisë, më herët, e ka marrë edhe deputeti i këtij subjekti politik nga legjislatura e kaluar, Hydajet Hyseni. Deputetë të caktuar të këtij subjekti politik kanë pasaporta të vendeve të ndryshme evropiane.
Në qershor të këtij viti, shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi dhe bashkëshortja e tij, Fatmirja.
Shtetësinë e Shqipërisë e ka edhe deputetja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari - Lila, deputeti i kësaj partie Arben Gashi dhe ish-deputeti dhe anëtari i LDK-së, Sabri Hamiti.
Shtetësinë e Shqipërisë e ka marrë edhe vëllai i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, Selim Pacolli, i cili në zgjedhjet lokale ishte kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe më pas, e ka mbështetur kryetarin e zgjedhur të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin nga Lëvizja Vetëvendosje. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, gjithashtu ka shtetësinë e Shqipërisë. Kohë më parë, shtetësinë e Shqipërisë e ka marrë edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.
Sikurse politikanët, shtetësinë e Shqipërisë e kanë siguruar edhe personalitetet tjera që bartin funksione të larta. Në mesin e tyre janë: kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, shefi i Njësisë për luftë kundër kriminalitetit ekonomik, Nazim Sahiti, drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, drejtori i Agjencisë Kosovare për Privatizim, Ekrem Hajdari, si dhe mjaft të tjerë.
Tash së voni, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga homologu i tij nga Shqipëria, Ilir Meta, që t’iu mundësohet qytetarëve të Kosovës, që përmes procedurave të përshpejtuara të aplikojnë për shtetësi të Shqipërisë, duke pasur parasysh që heqja e regjimit të vizave për Kosovën është e pasigurt.
“Pasi që gati se të gjithë zyrtarët e institucioneve të Kosovës, familjet e tyre, deputetët, ministrat, zyrtarët komunal, njerëzit nga shoqëria civile dhe mediet e kanë siguruar shtetësinë e Shqipërisë, mendoj që nuk është vonë që edhe qytetarëve të rëndomtë t’iu mundësohet kjo”, pati thënë Thaçi.
Meta i ishte përgjigjur se “nuk është zgjidhje që të merret shtetësia e Shqipërisë”, por që Kosova të tejkalojë problemin e izolimit.
Rregullat aktuale të Shqipërisë janë të tilla që në rast se shtetasi i Kosovës dëshiron të marrë shtetësinë e Shqipërisë, duhet që kërkesën t’ia drejtojë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, me shpjegimin se për çfarë arsye e kërkon shtetësinë. Bashkë me këtë, duhet që të dorëzojë edhe certifikatën nga libra amzë e të lindurve, lejen për qëndrimin në Shqipëri dhe dëshminë se ka jetuar në një adresë në Shqipëri të paktën për tri vjet. Sipas nevojës, kërkohet edhe vërtetimi për dëshmimin e prejardhjes shqiptare. Shtetësia e Shqipërisë merret me dekretin e Presidentit të atij vendi. Është e sigurt që gjasat janë të vogla që politikanët e Kosovës, të cilët kanë marrë shtetësinë e Shqipërisë, të kenë jetuar në një adresë shqiptare, të paktën për tri vjet.(Marrë nga Rel)
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)