Kthimi i emigrantëve shqiptar në vendlindje ka krijuar fluks në pikën kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës.

Fluksi është krijuar në kuadër të festës së pashkës ortodokse. Gjatë 24 orëve të fundit në doganën e Kapshticës kanë hyrë mbi 3800 emigrantë dhe rreth 770 mjete.

Autoritetet kufitare njoftojnë se pavarësisht fluksit, në doganë nuk janë krijuar radhë dhe vonesa në përpunimin e dokumentacionit. Pala shqiptare punon me 4 sportele në hyrje dhe 3 në dalje, ndërsa ajo greke me 2 në hyrje dhe 2 dalje.

Ndërsa në doganën e Kakavijës gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 2655 emigrantë shqiptarë dhe kanë hyrë 700 mjete.

Burime nga dogana njoftojnë se pjesa më e madhe, që kanë hyrë në territorin shqiptarë janë kryesisht familje, që kanë pasur probleme me toponimet në pasaportat e fëmijëve të tyre. Pala shqiptare punon me 4 sportele në hyrje dhe 3 në dalje, ndërsa pala greke me 3 sportele në hyrje e 3 në dalje.

Dy ditë më parë, pala greke dhe ajo shqiptare ranë dakord, që emigrantët shqiptarë që kanë probleme me toponimet të kalojnë lirshëm në doganë deri më datë 13 maj, në kuadër të festës së pashkës ortodokse.

(ad.ti/shqiptarja.com)