Besimtarët katolikë do të kremtojnë sot Pashkët, ndërsa Arqipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot George Frendo, ka reaguar nëpërmjet një urimi. Frendo thotë në mesazhin e tij se besimi jep shpresë e kurajë, për të përballuar çdo sfidë dhe situata të vështira, duke përmendur edhe personat e infektuar me koronavirus.
Imzot Frendo kërkon mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë, pasi jeta jonë nuk është nën drejtimin e virusit, por nën drejtimin e Krishtit.
Po ashtu ai i është drejtuar edhe të rinjve që ëndërrojnë të largohen nga Shqipëria drejt një vendi më të pasur, ku thotë se kush kultivon këtë ëndërr mendon se është guximtar, por ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri duke ëndërruar një Shqipëri më të mirë është hero.
"Ndoshta shumë të rinj kënaqen të jenë guximtar. Por le të kërkojnë më shumë të jenë heronj", thotë Imzot Frendo.
Mesazhi i plotë i Imzot George Frendo:
Të gjithë ata që e takuan Jezu Krishtin e ngjallur morën një urdhër: “Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi”. Prandaj le të dëshmojmë mesazhin e Pashkës. T’ia dëshmojmë asaj vajze që e shet trupin e vet në mes të natës, e t'i themi: “Jezusi ka flijuar trupin e vet për të t'i dhënë një trup që nxit respekt”. T’ia dëshmojmë atij burri që e shfren dëshprimin e tij në pornografi ose alkol apo drogë, e t'i themi: “Jezusi të ka treguar rrugën e asaj të vërtete që të bën të lirë, mos cakto rrugën që të bën skllav të pornografisë, të alkolit apo të drogës”. T’ia dëshmojmë atij të riu që e humbi besimin e tij sepse mendon se besimi në Zotin është besëtytni, e t'i themi: “Vetëm në besimin në Zotin jeta jonë mund të gjejë domethënien e vet, ndryshe është absurditet”. T’ia dëshmojmë atyre që planifikojnë të vetëvriten, sepse nuk shohin asnjë të ardhme, asnjë shpresë, e t'u themi: “Besimi lind në ju atë shpresë që ju jep kurajë për të përballuar çdo sfidë dhe situata të vështira”. T’ia dëshmojmë edhe atyre që po vuajnë për shkak të përhapjes së koronavirusit, që ka krijuar shumë probleme për shumë familje. Por le të jetë kjo situatë si një shkollë për ne, që ishim bërë tepër viktimë materializmi dhe konsumizmi. Mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë. Jeta jonë nuk është nën drejtimin e virusit, por nën drejtimin e Krishtit.
Dhe t’ia dëshmojmë të rinjve që kultivojnë një ëndërr, që një ditë të largohen nga Shqipëria drejt një vendi më të pasur. Kush kultivon këtë ëndërr mendon se është guximtar. Por ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri duke ëndërruar një Shqipëri më të mirë është hero. Ndoshta shumë të rinj kënaqen të jenë guximtar. Por le të kërkojnë më shumë të jenë heronj. Shqipëria ka nevojë për ju, të dashur të rinj: jeni e ardhmja e Shqipërisë. Ngjallja e Krishtit shpall fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, fitoren e shpresës mbi dëshprimin. Ngjallja e Krishtit le t’ju dhurojë vendosmëri që Shqipëria jonë, vend i stolisur me shumë bukuri, të bëhet, përmes jush, një vend edhe më i bukur. Ëndrra e vetme e Jezusit ishte që me shembullin e jetës së tij të na mësojë dhe të na tregojë rrugën e dashurisë ngadhënjyese. Le të jetë kjo edhe ëndrra juaj.
Ata që kishin vendosur shpresën e tyre në Jezusin e Nazaretit, kur e panë Jezusin e arrestuar, frushkulluar dhe kryqëzuar menduan se të gjitha shpresat dhe vetë jeta e tyre u shkatërruan. Por doli dielli i Pashkëve, janë takuar me Jezusin i cili i përshëndeti me fjalë: “Paqja me ju” dhe i ngarkoi me misionin: “Shkoni te vëllezërit e mi e thuajuni se unë jam i gjallë, dhe do të jem gjithmonë me ju”.
Pranoni edhe ju, të dashur vëllezër e motra, këtë mision. Shpallni lajmin e Krishtit: Zoti është me ju! Aleluia, aleluia!
Lajmi kryesor: