Pashkët/ Meta mesazh edhe politikës: Të gjejnë mirëkuptimin për hir të vendit

Pashkët/ Meta mesazh edhe politikës: Të gjejnë mirëkuptimin për hir të vendit


Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për Pashkët. Kreu i shtetit thotë se festa frymëzuese e Pashkëve është një moment reflektimi. Kjo ditë e shenjtë, sipas tij, na ofron sërish mundësinë që secili prej nesh të përmbushë detyrat e përgjegjësitë e veta.

Në mesazhin e tij, Meta kishte një mesazh indirekt edhe për politikën. "T'i vërtetojmë botës e familjes europiane se vlerat e vyera të kombit tonë me të cilat krenohemi, triumfojnë mbi egon dhe interesat personale të secilit prej nesh.

 Jam i bindur se shqiptarët gjithmonë kanë pasur aftësinë e mençurinë, por edhe kanë ditur të gjejnë mirëkuptimin e të forcojnë bashkëpunimin për hir të interesit kombëtar" shkruan ai.

Mesazhi i plotë i Presidentit për Pashkët
Të dashur besimtarë katolikë dhe ungjillorë!

U uroj nga zemra ju dhe të gjithë shqiptarëve: Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët, festën e Ringjalljes, festën e jetës dhe të dritës!

Falë besimit të palëkundur në Zot, që ripërtërihet e shumëfishohet në këtë ditë të shenjtë, le të rigjejmë brenda vetes dhe shoqërisë sonë, forcën dhe kurajon për të menduar, jetuar dhe punuar në harmoni e begati, sinqeritet, solidaritet e bashkëpunim, për një të nesërme më të mirë, për të ardhmen e lumtur të vendit e popullit tonë.

Festa frymëzuese e Pashkëve është një moment reflektimi. Kjo ditë e shenjtë na ofron sërish mundësinë që secili prej nesh të përmbushë detyrat e përgjegjësitë e veta, jo vetëm para Zotit, por edhe ndaj njëri-tjetrit, çdo ditë e parreshtur, duke u përpjekur që krahas bashkëjetesës së shkëlqyer fetare, t'i vërtetojmë botës e familjes europiane se vlerat e vyera të kombit tonë me të cilat krenohemi, triumfojnë mbi egon dhe interesat personale të secilit prej nesh. Jam i bindur se shqiptarët gjithmonë kanë pasur aftësinë e mençurinë, por edhe kanë ditur të gjejnë mirëkuptimin e të forcojnë bashkëpunimin për hir të interesit kombëtar.

Sot gjithashtu kemi nevojë të reflektojmë për më shumë vëmendje edhe ndaj shtresave në nevojë, të pamundurve e të sëmurëve, fëmijëve e të moshuarve, të cilët meritojnë solidaritet e dashuri më të madhe prej nesh.

Në vigjilje të kësaj dite të shenjtë, uroj që mbarësia, paqja, begatia dhe lumturia të mbizotërojë tek familjet tona!

GËZUAR PASHKËT


Lajmi kryesor:

'Krishti u ngjall'/ Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkët, Frendo: Larg nga droga dhe korrupsioni


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja