Pas ultimatumit të Moskës për diplomatët e huaj që të largohen nga Kievi para sulmeve të reja, Shqipëria është rrjeshtuar hapur krah BE-së dhe Ukrainës duke ia bërë të qartë Kremlinit se nuk intimidohet. 

Përmes një reagimi në rrjetin social X, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se kërcënimet ndaj ambasadave dhe personelit diplomatik janë shkelje e drejtpërdrejtë e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Në të njëjtën linjë me vendet anëtare të Bashkimit Europian që refuzuan të tërhiqen nga Ukraina, Shqipëria bëri të qartë se nuk do të lëvizë nga Kievi dhe se nuk do t’u nënshtrohet kërcënimeve të Kremlinit.

“Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi”, shkruan Hoxha.

Reagimi i Hoxhës erdhi pasi Moska u kërkoi diplomatëve europianë dhe qytetarëve të huaj të largohen “sa më shpejt” nga Kievi përpara sulmeve të paralajmëruara ndaj kryeqytetit ukrainas, duke ngritur alarmin në të gjithë Europën. Ministri thekson se mesazhi i Tiranës i është përcjellë qartë edhe ambasadorit rus në Shqipëri, ndërsa shton se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës nuk mund të jenë përgjigje për luftën.

“Përgjigja për këtë luftë nuk mund të jetë më shumë luftë, më shumë krime ose sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile. E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe”, deklaron ai.

Tensionet mes Moskës dhe Brukselit u rritën pas sulmeve masive ruse ndaj Kievit gjatë fundjavës së shkuar, ku u goditën zona civile dhe u plagosën dhjetëra persona. Mes objekteve të rrezikuara ishte edhe kompleksi rezidencial ku jeton ambasadori shqiptar në Ukrainë, Ernal Filo.

Pas paralajmërimeve të Moskës, Bashkimi Europian reagoi menjëherë duke deklaruar se nuk do të tërhiqet nga Kievi. Ambasadorja e BE-së në Ukrainë, Katarína Mathernová, tha se Europa “nuk po shkon askund”, ndërsa disa vende europiane paralajmëruan se çdo sulm ndaj misioneve diplomatike do të konsiderohej akt armiqësor.