Kievi i është përgjigjur Tiranës me falënderim publik, pasi Shqipëria sfidoi hapur paralajmërimet e Moskës dhe bëri të qartë se nuk largohet nga Ukraina. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, shpërndau reagimin e Ferit Hoxhës në rrjetin X dhe tha se kërcënimet ndaj diplomatëve e civilëve tregojnë edhe një herë shpërfilljen e Rusisë ndaj paqes.
“Ne e vlerësojmë qëndrimin parimor dhe të fortë të Shqipërisë. Kërcënimet ndaj diplomatëve dhe civilëve vetëm sa tregojnë edhe më shumë shpërfilljen e Rusisë ndaj përpjekjeve për paqe. Ukraina vlerëson solidaritetin dhe mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë. Së bashku qëndrojmë për paqen, sigurinë dhe drejtësinë”, shkroi Sybiha.
Reagimi i kreut të diplomacisë ukrainase erdhi pasi ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se Shqipëria nuk do të tërhiqet nga Kievi pavarësisht paralajmërimeve të Rusisë për diplomatët e huaj.
“Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi”, shkruante Hoxha në reagimin e tij.
Moska u kërkoi më herët diplomatëve dhe qytetarëve të huaj të largohen “sa më shpejt” nga kryeqyteti ukrainas përpara sulmeve të paralajmëruara, ndërsa vendet e Bashkimit Europian refuzuan të tërhiqen nga Kievi.
Lajmi kryesor:
Rusia kërkoi largimin e diplomatëve të huaj nga Kievi, Hoxha: Nuk intimidohemi dhe nuk tërhiqemi nga Ukraina









