Europa po shkon drejt problemeve serioze ekonomike për shkak të produktivitetit të ulët, mungesës së konkurrueshmërisë dhe politikave proteksioniste. Kështu u shpreh presidenti serb Aleksandar Vuçiç në një intervistë për Bloomberg, ku foli për ekonominë europiane, investimet kineze në Serbi dhe perspektivën e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Proteksionizmi po e vret Europën. Ne jetojmë mirë dhe nuk e shohim se çfarë po ndodh rreth nesh. Mënyra se si punojmë do të jetë problemi më i madh për të gjithë Europën”, tha Vuçiç pas kthimit nga Pekini, ku siguroi më shumë se 1 miliard dollarë premtime për investime të reja në Serbi.
Gjatë 12 viteve në pushtet, Vuçiç e ka kthyer Serbinë në një nga partnerët më të afërt të Kinës në Europë. Investimet kineze janë shtrirë në sektorë të ndryshëm, nga minierat dhe infrastruktura deri te teknologjia dhe robotika, ndërsa presidenti kinez Xi Jinping i ka përshkruar marrëdhëniet mes dy vendeve si një “miqësi prej çeliku”.
Sipas Vuçiç, investimet kineze në Serbi tashmë janë afruar me nivelin e investimeve që vijnë nga Bashkimi Europian. Megjithatë, ai këmbëngul se anëtarësimi në BE mbetet objektiv strategjik për vendin.
“Ne do të bëjmë detyrat tona për të përmbushur kriteret europiane. Por ndërkohë duhet të kujdesemi për veten. Nuk mund të presim përgjithmonë”, tha presidenti serb.
Ai e ka ndërtuar politikën e tij ekonomike mbi tërheqjen e investimeve të huaja, kryesisht nga Kina, por edhe nga partnerë të tjerë si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shtetet e Bashkuara.
Vetëm nga Kina, Serbia ka siguruar deri tani rreth 8 miliardë euro investime direkte, si dhe miliarda euro të tjera kredi për projekte infrastrukturore të realizuara nga kompani kineze. Vizita e fundit në Pekin u konsiderua nga Vuçiç si kulmi i marrëdhënieve të ndërtuara ndër vite me Kinën. Gjatë qëndrimit atje, ai u prit me ceremoni shtetërore të nivelit më të lartë dhe mori Medaljen e Miqësisë, dekorata më e lartë që Kina u jep shtetasve të huaj.
Paralelisht, Vuçiç po kërkon të forcojë edhe bashkëpunimin me SHBA-në. Edhe pse në Serbi vazhdon të ekzistojë një mosbesim historik ndaj amerikanëve pas bombardimeve të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, presidenti serb tha se sheh potencial të madh për investime amerikane.
Ai e quajti Donald Trump një “shpirt të afërt” dhe tha se SHBA-ja mund të investojë deri në 15 miliardë dollarë në projekte energjetike dhe infrastrukturore në Serbi, megjithëse nuk dha detaje konkrete.
Në politikën e jashtme, Vuçiç vazhdon të ruajë balancën mes Lindjes dhe Perëndimit. Serbia mbetet vend kandidat për në Bashkimin Europian, ndërsa njëkohësisht mban marrëdhënie të afërta me Kinën dhe Rusinë.
Duke folur për luftën në Ukrainë, ai e përshkroi situatën si një ngërç dhe tha se nuk pret që konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës të marrë fund së shpejti. Ai i quajti të dy popujt “vëllezër sllavë” dhe miq të afërt të Serbisë.
Ndërkohë, në planin e brendshëm, Vuçiç vazhdon të përballet me protesta që kanë hyrë në vitin e dytë. Demonstratat shpërthyen pas tragjedisë së nëntorit 2024, kur u shemb një strehë në një stacion hekurudhor që po rikonstruktohej nga kompani kineze, aksident që shkaktoi viktima dhe rriti pakënaqësinë ndaj qeverisë. Protestuesit akuzojnë pushtetin për korrupsion dhe lidhje klienteliste me biznesin.
Një nga kërkesat kryesore të protestuesve është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Në intervistë, Vuçiç deklaroi se Serbia do të zhvillojë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale gjatë këtij viti.
Ai tha gjithashtu se nuk do të kandidojë për një mandat të tretë presidencial pas përfundimit të mandatit aktual në vitin 2027, duke respektuar kufizimet kushtetuese. Megjithatë, nuk e përjashtoi mundësinë e rikthimit në postin e kryeministrit.
“Mund të ndodhë”, u shpreh ai, duke shtuar se Partia Përparimtare Serbe mund të ketë ende nevojë për drejtimin e tij.
Pavarësisht protestave, partia e Vuçiç mbetet forca më e madhe politike në vend. Sipas sondazheve, ajo gëzon mbi 40% mbështetje, shumë më tepër se lëvizja studentore që ka udhëhequr protestat dhe që ende nuk ka një lider të qartë apo një kandidat të fortë përballë presidentit serb.
Megjithatë, sfida më e madhe për Vuçiç mbetet raporti me Bashkimin Europian. Ndërsa ai vazhdon të deklarojë se Serbia do të mbetet në rrugën europiane, mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin në BE ka rënë në nivelin më të ulët historik.
Sipas të dhënave të cituara në intervistë, vetëm 35% e serbëve mbështesin sot anëtarësimin në Bashkimin Europian, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë në vend. Shumë qytetarë janë bërë skeptikë për shkak të procesit të gjatë të negociatave dhe mungesës së një afati të qartë për hyrjen e Serbisë në bllok.
“Ne jemi në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe do të vazhdojmë në atë rrugë, pavarësisht çdo presioni”, tha Vuçiç./Bloomberg
Komente





