Pasi prezantuan statutin e Asociacionit, Qeveria e Kosovës shkarkon Ekipin menaxhues

Pasi prezantuan statutin e Asociacionit, Qeveria e Kosovës shkarkon Ekipin menaxhues

Flamuri i Kosovës

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në përbërje të tij ishin katër pjesëtarë të komunitetit serb: Danijella Vujiçiq, Jellena Bolloviq, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviq.

Krasniqi tha se ka marrë vendimin për lirim nga detyra, pasi ekipi në fjalë ka prezantuar tashmë draft-statutin gjatë takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, një ditë më herët në Bruksel.

Krasniqi tha, po ashtu, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në Beograd reagoi Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila e cilësoi atë si vendim "të njëanshëm" dhe "të kundërligjshëm".

"Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit. Ekipi Menaxhues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në krijimin e tij", tha drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq.

Pajtim për të zhdukurit, mospajtim për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u takua në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk e pranon draft-statutin e prezantuar, pasi nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Në vend të tij, ai propozoi një “draft-vizion” që e ka hartuar vetë e që, siç tha, “rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.

Në vitin 2016, Ministria e atëhershme e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë ka emëruar Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit.

Megjithatë, marrëveshja për Asociacion nuk është zbatuar kurrë, për shkak të këmbënguljes së Beogradit që ai të ketë kompetenca të gjera. Prishtina, në anën tjetër, i ka refuzuar ato, me arsyetimin se mund ta kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Kosova është nën trysninë e ndërkombëtarëve për ta formuar Asociacionin.

Ndonëse nuk përmendet në mënyrë specifike, ky mekanizëm përfshihet edhe në një marrëveshje të re që kanë arritur Kosova dhe Serbia, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve, në fund të shkurtit./REL

 

 

G.MO/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë