Paskali: 79 mln lekë për 5 shkolla
3 kopshte dhe 2 çerdhe te njësia 8

Paskali: 79 mln lekë për 5 shkolla<br />3 kopshte dhe 2 çerdhe te njësia 8
Në buxhetin për vitin 2016, Bashkia e Tiranës ka parashikuar 79 milion lekë investime në Njësinë Administrative nr. 8, nga të cilat 48 milion janë investime të reja. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, në prezantimin e buxhetit për këtë njësi, tha se këto para do të përqendrohen në rehabilitimin e rrugëve, shesheve, tregjeve dhe vendosjen e sinjalistikës, si dhe në rikonstruksionin e 5 shkollave, 3 kopshteve dhe 2 çerdheve.

Paskali tha se aktualisht Bashkia e Tiranës është në një situatë të vështirë financiare, sepse administrata e kaluar ka akumuluar borxhe të mëdha. “Fatkeqësisht gjetëm një situatë financiare shumë të vështirë, ku kemi të akumuluar borxhe nëpër vite dhe realisht buxheti realizohej vetëm 60%. Çka do të thotë se shumë projekte janë lënë jashtë vëmendjes për shkak të mungesës së buxhetit dhe mos mbledhjes së të ardhurave”, u shpreh nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës.

Ajo nënvizoi se Bashkia e Tiranës ka si ambicie të sajën që të arrijë të mbledhë të ardhura duke e bërë buxhetin e Tiranës 10 miliardë lekë ose 100 milionë dollarë, nga 50 milion që është sot, duke e dyfishuar atë. “Është një ambicie e madhe, por jo e pamundur, sepse ka burime që nuk janë përdorur, që janë lënë jashtë vëmendjes, siç është taksa e pronës që duhet paguar apo elementë të tjerë, pa rritur taksat për qytetarët, por duke i mbledhur ato”, shtoi Paskali.

Nënkryetarja u shpreh se bashkia ka planifikuar disa projekte shumë të rëndësishme për rritjen e të ardhurave të Bashkisë. Ajo përmendi 5 projektet e mëdha për Tiranën, siç janë projekti i Pazarit të Ri dhe sheshit “Avni Rustemi”, Parku Qendror i Tiranës, Unaza e Vogël, rikonstruksioni i sheshit “Skënderbej” dhe parku i madh i Liqenit.

 
Ndërkaq, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, ka vijuar prezantimin e buxhetit në njësitë administrative Baldushk dhe Zall-Herr, ndërsa nënkryetari Arbi Mazniku në njësinë administrative nr. 3.

Redaksia online
(s/m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Macron kërkon që të ndalen dërgesat me armë për Izraelin

Macron kërkon që të ndalen dërgesat me armë për Izraelin