Pasojat e bojkotit, PD bllokon 
​tre strukturat anti-korrupsion

Pasojat e bojkotit, PD bllokon <br />​tre strukturat anti-korrupsion
Bojkoti i jetës parlamentare nga Partia Demokratike provokon minimin në tërësi të Reformës në Drejtësi, duke e futur procesin në një hulli paligjshmërie dhe afatesh të tejkaluara.

Bllokimi i ngritjes së organeve të Vetingut nga opozita, pikërisht me anë të bojkotit të Kuvendit, si instrument presioni për të ndarë pushtetin në tavolinë katër muaj para zgjedhjeve, ka një efekt zinxhir, pasi bllokon ngritjen e institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë së re.

Konkretisht, bllokimi i organeve të Vetingut paralizon automatikisht ngritjen e tre institucioneve të reja, të cilat do të dokumentojnë dhe ndëshkojnë korrupsionin dhe krimi  në nivele të larta.

Bëhet fjalë për Gjykatat Speciale, Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Mbetet për t’u parë nëse bojkoti i opozitës reflekton pikërisht frikën nga veprimi i tre institucioneve në fjalë, por pa nisur zbatimi i procesit të Vetingut, ngritja e strukturave anti-korrupsion është e pamundur.

Mekanizimi i bllokimi
Pika 5 e nenit 6 të ligjit për SPAK-un parashikon ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për gjyqtar dhe nëpunës civil gjyqësor në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për prokuror dhe personel administrativ në Prokurorinë e Posaçme, dhe për drejtor dhe hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit. Asnjë kandidat nuk mund të emërohet në tre strukturat në fjalë pa kaluar në filtrin e këtij komisioni. Por, që ky komision të konstituohet, duhet që te jenë ngritur organet e Vetingut. Ligji parashikon që komisioni përbëhet nga anëtarë që kanë kaluar me sukses skanerin e trefishtë për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet e papërshtatshme me krimin dhe testin e aftësive profesionale.

Përbërja
Komisioni për verifikimin e kandidatëve për strukturat antikorrupsion përbëhet nga dy prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, të zgjedhur me short, një gjyqtar i gjykatave të posaçme kundër korrupsionit, një punonjës i seksionit të hetimit financiar pranë Prokurorisë së Posaçme dhe një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Për tre anëtarët e parë, ligjit parashikon që procesi i hedhjes së shortit organizohet nga institucioni i Avokatit të Popullit. Që dy prokurorët dhe gjyqtari të marrin pjesë si anëtar në Komisionin e Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve duhet që më parë t’i nënshtrohen procesit të Vetingut.

Statusi i anëtarëve të komisionit
Reforma në drejtësi parashikon që Gjykata e Krimeve të Rënda bëhet Gjykatë Speciale, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda e Shkallës së Parë ose të Apelit shndërrohet në Prokurori të Posaçme. Neni 163 i ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve parashikon që prokurori në detyrë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë ose të Apelit qëndron në pozicionin e tij deri në momentin e krijimit të Prokurorisë së Posaçme, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe për mbarimin e statusit si rezultat i veprimit të procesit të Vetingut. Po ashtu, ligji parashikon që gjyqtari në detyrë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ose Gjykatën e Apelit për Krimeve të Rënda qëndron në pozicionin e tij deri në momentin e krijimit të gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe për mbarimin e statusit si rezultat i procesit të rivlerësimit. Që gjyqtarët të kalojnë në Gjykatën Speciale duhet të kalojnë me sukses procesin e Vetingut si dhe t’i nënshtrohen parashikimeve të tjera ligjore.
 
Legjislacioni që kushtëzon ngritjen e institucioneve me procesin e Vetingut

Neni 6 i ligjit për SPAK 

 
-Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për të bërë verifikimin e kushteve të sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit, të përbërë nga:
a) dy prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, të zgjedhur me short. Procesi i përzgjedhjes me short monitorohet nga Avokati i Popullit;
b) një gjyqtar të gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i zgjedhur me short. Procesi i përzgjedhjes me short monitorohet nga Avokati i Popullit;
c) një punonjës i seksionit të hetimit financiar pranë Prokurorisë së Posaçme, i caktuar nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme;
ç) një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i caktuar nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
-Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve, pasi merr
nga institucionet përkatëse të emërtesës deklaratat, sipas pikave 2, 3 dhe 4, të këtij neni,
kryen verifikimet e nevojshme për pasurinë dhe figurën dhe, brenda 120 ditëve, i dorëzon
institucionit të emërtesës një raport të hollësishëm mbi ligjshmërinë e burimeve të pasurisë dhe pastërtinë e figurës, si dhe çdo dokumentacion tjetër mbështetës të paraqitur nga vetë kandidatët apo institucionet shtetërore, të cilat bëhen pjesë e dosjes së kandidatit, sipas legjislacionit në fuqi. Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe të Figurës së Kandidatëve, përveç dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët, mund të kërkojë të dhëna ose informacione zyrtare nga çdo institucion shtetëror në lidhje me kandidatët. Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe të Figurës së Kandidatëve u kërkon informacion institucioneve shtetërore, objekti i ligjshëm i veprimtarisë së të cilave lidhet me hetimin dhe mbledhjen e të dhënave mbi pasurinë dhe figurën e individit, duke i caktuar detyra konkrete dhe afate për përmbushjen e tyre.
 
Neni 162, ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve
1. Gjyqtari në detyrë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ose Gjykatën e Apelit për Krimeve të Rënda qëndron në pozicionin e tij deri në momentin e krijimit të gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe për mbarimin e statusit të magjistratit, në zbatim të pjesës III, kreu VIII, të këtij ligji, ose si rezultat i procesit të rivlerësimit, në përputhje me ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
2. Këshilli i Lartë Gjyqësor cakton në mënyrë të përhershme gjyqtarët në detyrë në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me kërkesë të tyre, nëse:
a) gjyqtari kalon me sukses procesin e rivlerësimit, sipas përcaktimeve të ligjit “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;
 
Neni 163
 
1. Prokurori në detyrë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë ose të Apelit qëndron në pozicionin e tij deri në momentin e krijimit të Prokurorisë së Posaçme, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe për mbarimin e statusit të magjistratit, në zbatim të pjesës III, kreu VIII, të këtij ligji, ose si rezultat i procesit të rivlerësimit, në përputhje me ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
2. Këshilli i Lartë Prokurorisë cakton në mënyrë të përhershme prokurorët në Prokurorinë e Posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në përputhje me parashikimet e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Ja përse çanta nuk duhet lënë në tokë

Ja përse çanta nuk duhet lënë në tokë