Edhe në këto ditë të pragdimrit, një komedi e anglezit Roy Cooney do të na dëfrente gëzueshëm, për ta harruar fare “selinë” e rrezikuar në dekada të tëra dhe problematikën e trazuar të vendit. Ja që teatri e ka këtë veti të çmuar, që ofron edhe njëfarë shkëputje nga realiteti në ato dy orë që ka në predispozitë të tij, ca më tepër me një komedi dëfryese, e cila mundet të japë, jo vetëm buzëqeshjen, po edhe atë çka na mundon jo pak herë: qetësimin e shpirtit të munduar.
Komedia, si gjini e rrallë e skenës dhe e letërsisë, është e aftë të mbartë edhe probleme e konflikte të mëdha, që shkojnë deri në “kupolën” e shtetarëve, po ajo është “mbajtur në këmbë” ca më tepër nga shtresa aq shumë e pasur e “vulgut” të thjeshtë, si privilegj i shtresave më të ulëta, i të varfërve, i atyre që “heqin picirin e jetës”, që s’e kanë për gjë të shprehen lirshëm e të tallen deri në rrënjët e gjërave e të njerëzve, të shoqërive, të kastave e të politikanëve të çdo kallëpi.
Ajo përmban “verën e fortë” të haresë e të trullosjes, të gudulisjes, po edhe atë të fshikullimit e të goditjes deri në asgjësimin e fenomenit e mentalitetin e rremë të një individi a më shumë se kaq, në emër të përsosjes, të së mirës e të lartësimit të etikës e të moralit shoqëror. Po gjithmonë me armën e së qeshurës, me këtë “arsenal” të rrallë që kaq shumë na mungon e që kur na vjen, si këtë herë në Teatrin “Spahivogli”, përmes komedisë “1 dhe 1 bëjnë 3” të Ray Coneyt, të përkthyer nga Besi Londo dhe që e vunë në skenë Timo Flloko me Kiço London, nuk duam që të na “ikë” kurrsesi.
Kemi përpara një komedi të lehtë gazmore, me një subjekt tepër të thjeshtë, e huajtur nga përditshmëria e jetës, si aventurë, me një lidhje martese të dyfishtë, njëra me kishë e tjetra në bashki. Në njëfarë mënyre, të dyja gratë janë të ligjshme, por ato mbahen të fshehta prej njëra-tjetrën, një mashtrim që nuk jeton dot gjatë.. Dhe, midis tyre “in trecua”: një gënjeshtër e taksistit Xhon Smith që bie pre e një aksidenti e paskëtaj e një gënjeshtre të përdorur para njerëzve të ligjit! E, kështu do të krijohet “lëmshi” i ngatërresës e i rrëmujës, ku edhe detektivet, edhe gratë, edhe shoku i tij, edhe një bojaxheshë që vërtitet aty, do të bëhen pjesë e lojës, deri në kthjellimin e dramëkomedisë, ku do të shohim edhe një fund lirik tepër emocionues, që lexuesi është mirë të shkojë ta shikojë vetë, që edhe të përlotet pas rrëmujës që bëjnë komediantët.
Regjia e Fllokos dhe e Londos e trajtoi këtë komedi situatash në një ritmikë të shpejtë lëvizjesh e mizanskenash, ku mashtrimet radhazi të taksistit, i cili s’ka bërë asgjë të keqe, veçse një akt trimëror për të shpëtuar një plakë të kërcënuar prej hajdutëve, insistimi i vazhdueshëm i të dyja femrave për të mësuar se çfarë ka ndodhur dhe i të dy policëve që hetojnë këtë “çështje pa çështje”, duke krijuar kështu atmosferë, jetë të vërtetë e personazhe njerëzorë në përditshmërinë e tyre të zakonshme.
E, megjithatë, “shigjetat” e komedisë do ta godasin edhe taksistin që do të “hajë me dy lugë”, edhe të dyja femrat që duan “ta shtyjnë jetën” me gjithë kusuret që kanë, edhe të dy policët që ngatërrohen e bien edhe ata viktimë në këtë “rrjetë merimangash”, edhe dy personazhe të tjerë, thuajse të papunë si Stanlei e një bojaxheshë që kërkon t’u lyejë shtëpinë në këtë rrëmujë tepër të madhe. Dhe këtë atmosferë të ndezur, regjia e “përflak” me një grupim aktorësh të rinj, që lozin veten e tyre, ashtu sikundër janë edhe në jetë, pa bërë “komedi për komedi” sikundër shohim, për fat të keq, nëpër disa emisione televizive të “humorit” ku nuk ka pikë humori! Të mos shtiresh, të jesh vetvetja në skenë dhe të luash aty “dramën” e personazhit, e ke të garantuar edhe komedinë, nëse nuk je “pa gjë” në artin tënd të aktrimit. Kjo është prognoza themelore në një komedi çfarëdo.
Dhe mesazhi që jepet, morali, është dhënë kështu me natyrësinë që fal jeta, e përditshmja e gjërave dhe e halleve të këtyre personazheve dhe, gjithsecili që është në sallë e ndien se, nuk është i garantuar nga gënjeshtra e mashtrimi, nga dashuritë e rreme e tradhtitë bashkëshortore, nga lidhjet e dy-trefishta, nga korrupsioni e morali i antimoralit, për të theksuar kështu “këmbët e shkurtra” të kujtdo njeriu e morali në ditët tona.
Një aktualizim i rrallë e tepër i domosdoshëm në një komedi kaq të thjeshtë të një dite të zakonshme, hem me diell, hem me re e bubullima të nëndheshme.
Skenografi Beqo Nanaj ka përdorur këtu një konvencion skenik vetëm me katër dyer, ku hyjnë e dalin pareshtur personazhet, që aty fshihen nga njëri-tjetri e aty zbulohen, bile në të njëjtin vend - veprimi ku të dy çiftet flasin në telefon, po aty, ku edhe të dy detektivëve u duhet të hetojnë pareshtur.
Një dekoracion tepër i thjeshtë që krijon hapësirë e dritë, mundësira lëvizjesh e shprehjesh, Me një kostumografe si Sofia Kara, që jep freski skenike, ngjyrime sensuale hera-herës, që janë e mbeten të domosdoshme në gamën e atmosferës së karaktereve.
Kjo komedi ishte e vështirë të tingëllonte kaq gëzueshëm pa këta aktorë kaq simpatikë. Me një aktor personazh qendror, i cili s’ka fare kohë as të marrë frymë, si Kristian Koroveshi, që të imponohet me sinqeritetin e lojës në këtë konfuzion e mashtrim të madh, ku është futur e nuk del dot. Kthjellimi i tij është tepër i vonshëm, por, kur do të vijë koha e denoncimit të plotë, do të kemi tjetër njeri, një “pulë të lagur”, të katandisur në pikë të hallit.
Dinamika e tij interpretuese e ruan gjithmonë perspektivën e dredhisë që përdor, elasticitetin e lojës mashtruese e dyfytyrësinë e vet me të dyja gratë që kërkon t’i mbajë “nën sqetull” përjetësisht! Konsekuente në hallet e tyre, janë të dyja gratë interpretuese, Kristi Lleshi e Alesia Xhemalaj, njëra në atë të gruas së parë të “bekuar nga Zoti” e tjetra në atë që ia ka “besuar pushteti vendor” me akte zyrtare, të cilat kanë të njëjtin shqetësim rreth “mëkatarit” e të njëjtën përpjekje për të “shkoklavitur” lëmshin aq shumë të mpleksur, i cili do t’u sjellë më pas edhe zhgënjime fort të rënda.
Gruaja e parë, ajo e Perëndisë, do ta përjetojë edhe me rend këtë masë tradhtie, jo pak herë edhe me histerizëm e tjetra paksa më lehtë, derisa bie në ujdi paskëtaj që të “vlohet” aty për aty e të bjerë menjëherë në krahët e shokut të tij, Stenlio, edhe ky i interpretuar me vërtetësi nga Ersiljano Xhelollari, si besnik i mikut të vet rrëmujaxhi e dredharak, derisa do të arrijë përfundimisht fare natyrshëm t’i rrëmbejë partnerit partneren! Kemi të bëjmë me aktore të reja që premtojnë dhe njëherësh fytyra skenike që lënë mbresë, si Kristi, ashtu edhe Alesia.
Të këndshëm e të ndryshëm nga njëri - tjetri janë edhe të dy detektivët e interpretuar nga Ermir Jonka e Igli Zarka, që gjithsesi, krahas detyrës, nuk e përjashtojnë veten si njerëz nga rrethanat e paraqitura aq bukur në shtjellën e subjektit. Ndërsa aktorja Vlera Pylla, që hyn e del si pa funksion, realisht bëhet e domosdoshme, në krijimin e një tjetër ritmike, kontraverse.
Subjekte të tilla, që janë sa të lehta e gazmore, aq edhe të vështira, ka nevojë teatri ynë në shpalosjen e realitetit ekzistues, ku ngjashmëria e fabulës sëmbon e sfidon edhe realitetin tonë aktual. Ato “flenë” edhe në shoqërinë tonë të brejtur nga korrupsioni, nga shtirjet e gënjeshtrat pa fund, nga tradhtitë bashkëshortore e divorcet e panumërta. Se jeta rreth nesh nuk është aq e qetë dhe dramaturgët e rinj (që nuk i kemi, apo që duken fort rrallë), ja tek e kanë “lëndën e parë”, për të na e gjallëruar teatrin, ca më tepër e publikun, të na i ofrojnë përherë në këtë “tempull” të mençurisë njerëzore.
Dhe as që duhet të pajtohemi me atë praktikë absurde kur shfaqjet e suksesshme si kjo, i “palosim” për t’ia lënë radhën një tjetër spektakli që mundet edhe të jetë fare pa vlerë, për hir të një planifikimi gjithaq absurd!
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com