Pastrimi i parave, Ismailaj: Bllokuam
28 mln €, 1300 transferta të dyshimta

Drejtoria kundër Pastrimit të Parave ka bllokuar gjatë vitit 2016, 28 milionë euro, të ardhura këto nga veprimtari kriminale, kryesisht nga trafiku i drogës. 

Zv/Drejtori i Përgjithshëm i DPP, Agim Ismailaj, paraqiti raportin e këtij institucioni në komisionin parlamentar të sigurisë. Ismailaj tha se për 2016-ën u evidentuan 1300 raportime për transaksione të dyshimta. 

"Janë bllokuar 28 milionë euro në banka të dyshuara si para të pista. Paratë e dyshimta më së shumti vijnë nga trafiku i drogës, por dhe evazioni fiskal. 
Raportimet na vijnë nga bankat, noterët, hipotekat. Mbi 300 raste të dyshimta kanë ardhur falë raportimit nga subjektet. Për vitin 2016 ka pasur 1300 raportime për transaksione të dyshimta. Në 2016 u dërguan 184 raste në Prokurori, vetëm 5 kaluan në Gjykatë. Rastet e tjera të paraqitura u mbyllën nga prokuroria"
, u shpreh Ismailaj. 

I pyetur nga kryetari i komisionit të sigurisë, Spartak Braho, nëse DPPP po heton ndonjë bankë për pastrim parash, pas zbulimit të një rasti kur nga një bankë e nivelit të dytë janë kryer transaksione të dyshimta, Ismailaj tha se bankat e nivelit të dytë janë të ekspozuara përballë këtij fenomeni. 

"Kam informacione për përfshirjen e një banke të nivelit të dytë në pastrimin e parave. Ju po hetoni ndonjë bankë?", iu drejtua Braho.

"Bankat janë të ekspozuara ndaj pastrimit të parave. Nuk mund të them nëse ka apo jo hetim ndaj një banke", tha Ismailaj.  

"Ju dhashë një sinjal për bankën e dyshuar, të cilen duhet ta ndiqni", theksoi Braho. 

Numri 2 i Drejtorisë kundër Pastrimit të Parave tha gjithashtu se janë listuar edhe persona në Shqipëri si financues të terrorizmit. 

Ndërtimi shihet si sektori më i favorshëm për pastrimin e parave të pista. Dhe jo pa qëllim Ismailaj theksoi se këto para po injektohen në biznese të reja.

Ndërsa deputeti socialist Pjerin Ndreu ngriti shqetësimin e volumit të lartë të parave që qarkullon jashtë bankave. Por për numrin dy të Drejtorisë kundër Pastrimit të Parave problem tjetër është edhe transferimi i parave cash në pikat doganore. 

Sa i takon rolit të DPPP-së dhe kapaciteteve të saj në procesin e Vettingut, Ismailaj tha se kjo drejtori ka për funksion grumbullimin dhe përçimin e të dhënave te institucionet përgjegjëse. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Kur Berisha drekonte me Xhorxh Soros, Filantropi: Jam shumë i lumtur që njerëz të mbështetur nga fondacioni, janë të asociuar edhe me Saliun (VIDEO)

Kur Berisha drekonte me Xhorxh Soros, Filantropi: Jam shumë i lumtur që njerëz të mbështetur nga fondacioni, janë të asociuar edhe me Saliun (VIDEO)