Ministri Klosi deklaroi se aksionet do të vazhdojnë, por do të ketë masa ligjore dhe forcim të rregullave për të disiplinuar raportin e qytetarëve dhe biznesit me mjedisin. "Kemi shumë nevojë jo vetëm për të bërë aksione por do të duhet të bëjmë një politikë shumë të fortë për sa i përket mjedisit, do të duhet të shikojmë rregullat me të cilat trajtohet mjedisi në Shqipëri dhe këto aksione dëshmuan sesa shumë ne kemi nevojë të ndryshojmë të gjithë filozofinë tonë për Shqipërinë e pastër. Shqipëria që ne duam është Shqipëria e pastër por kjo nuk mjafton që të thuhet vetëm në një ditë aksioni, por duhet thënë çdo ditë ku ne jetojmë. Nuk mund të hedhin mbetjet në shesh, nuk mund t’i hedhin jashtë territorit të tyre. Unë e di shumë mirë që janë të pastër brenda dhe sapo del nga shtëpia jashtë situata është realisht për t’u riparë”, u shpreh ministri Klosi.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit e nisi ditën e dytë të aksionit me inspektimin e punës së bërë gjatë një ditë më parë në urat dhe shtretërit e lumenjve për të vijuar më pas në kalanë historike të Krujës. Ministri Klosi së bashku me 300 të rinj vullnetarë. nxënës të shkollave të mesme të Fushë- Krujës dhe Krujës, dhe të rinj të FRESSH, punuan për pastrimin dhe më pas mbjelljen me pemë të aksit kryesor nga Rinasi deri në hyrje të qytetit të Krujës.
Ministri Klosi falënderoi të rinjtë për mbështetjen e dhënë gjatë dy ditëve të aksionit duke shtuar se ky aksion duhet të shërbejë si një sensibilizim për të gjithë qytetarët. “Të rinjtë e FRESSH dhe të rinjtë shumë të mirë nga qyteti i Krujës dhe i Fushë Krujës si dhe shumë instituicione iu bashkuan një dite shumë të bukur pastrimi e cila do të duhet të shërbejë si ditë sensibilizimi për Krujën turistike në prag të vitit të Skënderbeut”. Në përfundim të aksionit ministri Klosi u bëri apel banorëve të zonës që të mbajnë pastër ambientin jo vetëm brenda shtëpive të tyre por edhe jashtë, jo vetëm në një ditë por në çdo ditë të vitit.
Gjatë ditës së dytë të aksionit është vijuar me pastrimin në shtretërit e lumenjve dhe në akset rrugore. Rreth 1200 nxënës kanë pastruar ditën e sotme aksin kryesore Rinas – Krujë, ndërsa forcat e armatosura të ushtrisë kanë vijuar punën në shtretërit e lumenjve. Aksioni i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është mbështetur nga Ministria e Mbrojtjes,e Kulturës, dhe bashkitë Tiranë, Durrës e Krujë dhe ka për qëllim pastrimin, rehabilitimin dhe gjelbërimin e zonës. Ky është aksioni i dytë, pas aksionit në qarkun e Beratit, në kuadër të operacionit kombëtar “Pastrojmë Shqipërinë që duam”.
Fjala e ministrit Klosi:
Të rinjtë e FRESSH treguan edhe njëherë se janë të mrekullueshëm dhe sot në një ditë pushimi iu bashkuan një nisme krejtësisht qytetare për të pastruar Krujën që ne duam. Ka simbolikat e saj kjo ditë aksioni jo vetëm sepse situata ishte e rënduar pak pas reshjeve të shiut dhe gjithë territori i kalasë së Krujës kishte shumë nevoja për t’u trajtuar nga pikëpamja mjedisore por edhe në kuadër të festave që po afrojnë dhe në vigjilje të vitit të Skënderbeut.
Të rinjtë e FRESSH dhe të rinjtë shumë të mirë nga qyteti i Krujës dhe i Fushë Krujës si dhe shumë instituicione iu bashkuan një dite shumë të bukur pastrimi e cila do të duhet të shërbejë si ditë sensibilizimi për Krujën turistike në prag të vitit të Skënderbeut. Dhe besoj që kemi shumë nevojë jo vetëm për të bërë aksione vullnetare, por do të duhet të bëjmë një politikë shumë të fortë për sa i përket mjedisit, do të duhet të shikojmë rregullat me të cilat trajtohet mjedisi në Shqipëri. Këto aksione dëshmuan sesa shumë ne kemi nevojë të ndryshojmë të gjithë filozofinë tonë për Shqipërinë e pastër.
Shqipëria që ne duam është Shqipëria e pastër por kjo nuk mjafton që të thuhet vetëm në një ditë aksioni, por duhet thënë çdo ditë ku ne jetojmë. Nuk mund të hedhin mbetjet në shesh, nuk mund tç hedhin jashtë territorit të tyre. Unë e di shumë mirë që janë të pastër brenda dhe sapo del nga shtëpia jashtë situata është realisht për t’u riparë.
Ndaj edhe njëherë thirrja shkon për të gjithë qytetarët, qe cdo ditë ne të kemi një aksion, çdo ditë të kemi një mentalitet të ri, që Shqipëria mund të pastrohet dhe do të bëhet e pastër. Edhe njëherë shumë faleminderit gjithë të rinjve të FRESSH-it dhe të gjithë nxënësve që kanë ardhur nga shkollat e mesme të Fushë Krujës dhe të Krujës që iu bashkuan aksionit tonë me tre bashkitë kryesore por edhe institucioneve të tjera dhe sot kemi realisht diçka për të treguar. Një ditë feste që kaloi shumë bukur dhe me një Krujë më të pastër edhe gjatë ditëve në vijim.
Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com

VIDEO











