“Pastrojmë Tokën që duam”, Klosi: Aksione pastrimi në bregdet dhe shtretër lumenjsh

“Pastrojmë Tokën që duam”, Klosi: Aksione pastrimi në bregdet dhe shtretër lumenjsh

Ministri ,Blendi Klosi gjatë mbledhjes

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë një takimi me ekspertë shqiptarë dhe të huaj deklaroi se të gjitha subjektet që nuk do të vendosin sistem depurimi për trajtimin e ujërave të ndotura deri në datën 1 qershor të këtij viti do t’u revokohen lejet mjedisore. Në këtë takim u prezantuan modele të ndryshme europiane të trajtimit të ujërave të zeza.

Duke vënë theksin në kontrastin midis asaj çfarë vetë-deklarojnë subjektet dhe asaj çfarë konstatohet në realitet, Ministri Klosi tha: “Të 800 subjektet që kanë aktivitete me ujin nuk i depurojnë plotësisht ujërat që gjenerojnë nga aktiviteti i tyre dhe për këtë Agjencia Kombëtare e Mjedisit është duke bërë një studim të hollësishëm”.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u tregua i ashpër në apelin e tij për të gjitha subjektet që deri më 1 qershor nuk do të gjejnë një zgjidhje për trajtimin e ujërave të zeza ndërsa paralajmëroi subjektet e reja që nuk do të marrin leje mjedisore nëse nuk do të kenë një zgjidhje të fundme të trajtimit të ujërave të zeza. Ministri Klosi theksoi gjithashtu se aksioni për pastrimin e Shqipërisë do të vijojë me pastrimin e shtretërve të lumenjve dhe bregdetit duke kulmuar në ditën e Tokës më 22 prill.

Gjatë tryezës shkencore ekspertët e huaj të pranishëm në takim sollën disa nga modelet më të fundit europian të trajtimit të ujërave të ndotur të përshtatshëm për familje, hotele, apo qytete. Pasi dëgjoi shembujt më të mirë të realizuar në Itali dhe në Europë, ministri Klosi u shpreh i hapur ndaj këtyre modeleve me standarde të larta duke u kërkuar të gjitha bizneseve që të gjejnë sa më shpejt zgjidhjen pasi në asnjë rast nuk do të lejohen që të derdhin ujërat e zeza në lumenj apo në dete.

Fjala e plotë e ministrit Klosi

Ajo që dua të siguroj, është prania jonë këtu si institucione shtetërore, besoj edhe përfaqësues të ministrisë së Energjitikës, jemi po me të njëjtin shqetësim; A do të mundemi që për sezonin e ardhshëm turistik ne të vendosim një standard të ri të trajtimit të ujërave të zeza nga përdoruesit e lumenjve dhe të bregdetit në mënyrë abuzive. E them në mënyrë abuzive sepse çdo përdorues i ujërave në vendin tonë ka një leje mjedisore, ka dhe një leje të shfrytëzimit të aktivitetit të tij, dhe për këtë leje të shfrytëzimit të aktivitetit në asnjë rast nuk jemi kundër por e mbështesim dhe e kemi një nga politikat e ministrisë mbështetjen e agro-turizmit, turizmit të të gjitha llojeve, e kemi një nga politikat e ministrisë mbështetjen dhe ngritjen e hoteleve të reja me 4 dhe 5 yje në zonat bregdetare, por në krahun tjetër do të donim shumë që të gjitha këto aktivitete të kërkuara shumë në kohën që po jetojmë të kenë edhe plotësimin e lejeve mjedisore. Asnjë nga këto aktivitete nuk është e mundur të ndërtohet nëse nuk ka në lejen e tij mjedisore një zgjidhje të fundme të problemit të trajtimit të ujërave të zeza. Dhe ne e kemi thënë prej kohësh dhe vazhdojmë të qëndrojmë se në datën 1 qershor do të kërkojmë revokimin e lejeve mjedisore të gjithë këtyre përdoruesve të ujit të cilët realizojnë pa një zgjidhje shkencore të trajtimit të ujërave të zeza. E them këtë sepse ka disa herë thirrje në këtë drejtim, ka disa aksione dhe të zhvilluara nga institucionet ligj-zbatuese në Ministrinë e Mjedisit por realisht shikoj që kemi edhe probleme shumë të mëdha në këtë trajtim. Unë e kam thënë edhe në biseda të tjera që kam bërë shpesh me përfaqësues të komunitetit të punonjësve mjedisorë, inxhinierë apo ekspertë ata qofshin që kemi një situatë shumë të vështirë karshi asaj çfarë deklarojmë në letra, kemi një situatë shumë të vështirë karshi asaj çfarë vetë-deklarojnë subjektet në trajtimin e mjedisit dhe realitetit. Kemi shumë diferenca në këtë aspekt. Prandaj në emër të Ministrisë së Mjedisit jam këtu që t’u ribëj edhe një herë thirrje të gjithë subjekteve që në rastin konkret për të cilin po diskutojmë kemi trajtimin e ujërave të zeza, janë në kohë që të fillojnë të studiojnë, të gjejnë një zgjidhje të tyre brenda kushteve të cilat ata zhvillojnë aktivitetin, brenda mundësive financiare dhe kapaciteteve të tyre të zhvillimit por në asnjë rast nuk do të lejohen që të derdhin më ujërat e zeza në lumenj apo ne ujërat e zeza në det. Bëhet fjalë për subjekte tashmë që janë individualë, që janë të shkëputura që nuk janë pjesë e një komuniteti të caktuar dhe depozitimi i ujërave të zeza vazhdon të jetë lumi apo deti. Dhe problemi i madh që vërejmë është në vetë-deklarimet e të gjitha këtyre subjekteve që janë plot 800 subjekte të cilat shfrytëzojnë ujin e lumit në vendin tonë, që të 800-at deklarojnë që e kanë trajtimin e ujit 100 %. Në qoftë se do të shikojmë se çfarë dorëzojnë në vetë-deklarim dhe për këtë AKM po bën një studim të plotë, ujërat në Shqipëri do të ishin ujërat më të pastra në rajon, ndërkohë që realiteti është krejt ndryshe. Prandaj edhe e vlerësoj shumë këtë bisedë teknike të ekspertëve të fushës, të cilët përpiqen të sjellin modele europiane të trajtimit të ujërave të zeza edhe qoftë individuale edhe qoftë në kapacitet të vogla hoteliere, apo restorante të zonave të lumit apo bregdetit dhe derisa shkojmë në bashki të vogla ku të tre bashkitë pilot, të tre bashkitë që kanë një marrëdhënie të ndryshme me ujin, kanë një zgjidhje për to, jo shumë të kushtueshme, brenda mundësive të tyre financiare, por modeli i paraqitur mund të shërbejë fare mirë edhe për impiante më të vogla deri në ato të voglat fare që mjaftojnë për një lokal apo hotel të vogël, e deri tek resortet, të cilat tashmë e kanë instaluar këtë pajisje. Dhe ajo që do të kërkojmë me forcë është pariteti, dhe ndershmëria që çdonjeri përdorues i ujit, i lumit dhe i detit do të duhet të jetë në këto norma standarde të pranuara nga agjentet mjedisorë. Kjo është një përpjekje në vazhdën e shumë përpjekjeve që kemi ndërmarrë. Edhe ne nuk do të vazhdojmë vetëm të flasim por edhe do vazhdojmë të lidhim fjalët me veprime. Para pak muajsh kemi filluar aksioni “Pastrojmë Shqipërinë që duam” apo “Clean and Green 2020” me objektiva të qarta që brenda vitit 2020 Shqipëria të jetë një vend i pastër në rajon. Unë e them shpesh dhe në fakt disa nga pjesëmarrësit në këtë tryezë më kanë thënë që Shqipëria vështirë që mund të hynë në shtetet e ndotura, por Shqipëria padyshim që hyn në shtetet të cilat janë pis. Dhe ne kemi shumë papastërtira. prandaj aksioni ynë është i fokusuar për të eliminuar jo vetëm papastërtitë e momentit por edhe shkaqet që na bëjnë pis. Kështu e kemi filluar me sistemin e guroreve, për të cilat kemi bërë një studim të plotë, kemi miratuar tashmë edhe disa rregulla të reja, të cilat nuk do të lejojnë më që guroret të jenë në vendit ku ndotin mjedisin. Këtë problematikë kemi ndjekur me makinat. E pamë para pak muajve dhe sot kemi një vendimarrje për makinat në fund të jetës që të bllokohen ato që janë më të vjetra se 10 vjet, pikat e grumbullimit dhe trajtimit të skrapit të jenë me karakteristika të tjera dhe pikat e grumbullimit të makinave të fund të jetës të jenë krejtësisht të standardeve të reja. Po këtë problematikë kemi ndjekur dhe me mbetjet urbane, është e pafalshme që në 2018 të kemi një sistem të trajtimit të mbetjeve urbane krejtësisht jashtë çdo parametri mjedisor dhe nga 97 vendgrumbullime të mbetjeve urbane 88 prej tyre janë pranë lumenjve. publikisht në mes të ditës në sytë e të gjithë ekspertëve mjedisore dhe qytetarëve pro edhe administratës publike, kemi 88 vendgrumbullime të mbetjeve urbane pranë shtratit të lumit. Dhe sa herë kemi një situatë me shi mbi normat dhe lumi fryhet këto mbetje janë një monument i papastërtisë i të gjithë sipërfaqes. Dhe për këtë ne do të ndërmarrim një aksion të cilin ne e kemi quajtur “Pastrojmë tokën që duam” pasi data 22 prill është dita e Tokës dhe deri në atë ditë ne do të donim që të kishim një kontribut sa më të madh edhe në komunitetin tuaj për të pastruar shtretërit e lumenjve dhe bregun e detit. Bashkë me këtë kemi marrë edhe masa të tjera, si ajo për ndalimin dhe prodhimin e qeseve plastik,e dhe masa të tjera me veprimtari të caktuara të cilat mendojmë që do të sjellin një përmirësim të situatës papastërtisë në vendin tonë. Ndihem shumë mirë që sot ne kemi një model. jemi të hapur edhe për modele të tjera që zgjidhin problematikën e trajtimit të ujërave te të zeza, dhe duam që edhe nga ky forum tu bëjmë thirrje të gjithë biznesit pranë lumenjve apo bregut të detit, të mendojnë se në 1 qershor me fillimin e sezonit turistik ata nuk do të kenë më mundësi të zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik nëse nuk kanë një trajtim të ujërave të zeza. Kjo është bindja jonë e palëkundur dhe prandaj më vjen mirë që këtu kemi zgjidhje të cilat shkojnë që nga çmimet e ulëta për një lokal të vogël deri në zgjidhjet e mëdha të cilat shkojnë deri në kapaciteteve një qyteti të mesëm. jam këtu besimplotë që lufta për një Shqipërie të pastër, është një luftë që gjen gjithmonë e më shumë përkrahje pasi është një luftë për një cilësi më të mirë jetese, dhe këtu flasim për ujin që është një nga elementet bazë për jetën e qytetarëve. Ne jemi të vendosur që të punojnë çdo ditë që ky sistem të jetë në parametra normale për të përmirësuar edhe një nga treguesit më të çuditshëm që ne kemi në Shqipëri megjithëse kemi kaq shumë ujëra, e kemi shumë të vështirë që të kemi ujë të pastër.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Ligjbërësit iranianë kërkojnë ndryshimin e projektligjit të rreptë për hixhabin

Ligjbërësit iranianë kërkojnë ndryshimin e projektligjit të rreptë për hixhabin