TIRANE - Një vit pasi u konfirmua nga shkalla e parë e vettingut, kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori u shkarkua nga Kolegji i Apelimit.

Kolegji i Posacëm i Apelimit vendosi të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë, me një vendim të formës së prerë dhe që hyn në fuqi menjëherë, pasi i gjeti probleme me pasurinë.

Nga sot Gjykata e Lartë Gjykata e Lartë mbetet vetëm me një gjyqtar. Ai është Ardian Dvorani, i cili njëherësh është zgjedhur kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Deri në momentin e emërimit të krytarit të ri të Gjykatës së Lartë, Dvorani merr kompetencat e përkohshme të kryetarit. Këtij të fundit i ka mbaruar mandati që në vitin 2014, por që sipas ligjit mund të qëndrojë në detyrë deri kur të zëvendësohet.

Në momentet që KPA ka dhënë vendimin, Zaganjori nuk ka qenë i pranishëm në sallë. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta, ka mësuar se ai e ka ndjekur në zyrë seancën e KPA duke mësuar nga media shkarkimin e tij

Sipas KPA-së, kryetari i Gjykatës së Lartë nuk mbulon pasurinë me burime të ligjshme dhe ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë. Në lidhje me shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tij jashtë shtetit, gjyqtari nuk justifikon shumën e shpenzimeve.

"Referuar deklaratës fillestare të 2013 dhe të vitit 2017, subjekti Xhezair Zaganjori është i pasaktë në deklarimin e sipërfaqeve, vlerës dhe burimit të këtyre pasurive të paluajtshme. Ai nuk arrin të justifikojë pasuritë. Për rrjedhojë ka kryer deklarim të pasaktë", tha relatorja e seancës Albana Shtylla.

Gjykata e Lartë sipas ligjit ka 19 anëtarë ndërsa aktualisht në detyrë ka mbetur vetëm Dvorani i cili është konfirmuar edhe nga vettingu në të dyja shkallët. Pritet që Këshilli i Lartë Gjyqësor, që ka hapur garën për plotësimin e gjykatës së lartë me gjyqtar nga radhët e juristëve të përzgjedh deri javën e ardhshme katër gjyqtar mes 21 aplikantëve.

Në fillim të korrikut është hapur gara për anëtarët jo gjyqtarë që do të garojnë për të qenë pjesë e Gjykatës së Lartë. Gara e çelur më 9 korrik 2019 u mbyll pardje, ndërsa dje është zbardhur lista e plotë me 21 kandidatët jo gjyqtarë për Gjykatën e Lartë. Pjesë e listës janë edhe ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku si dhe kreu i Shkollës së Magjistraturës Sokol Sadushi. Në ditët në vijim Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të kryejë verifikimin e kandidatëve sipas ligjit, duke renditur më pas një listë me kandidatët e kualifikuar. Lista do t’i dërgohet Presidentit për miratim. Sipas Kushtetutës, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. 

Pasuri si shtëpia, një dyqan, garazhi dhe një bibliotekë ishin gjetur me probleme nga verifikimi i Komisionerit Publik.Ndërsa vetë Zaganjori, që në këtë seancë të Kolegjit të Apelit nuk ishte i pranishëm, është mbrojtur më herët duke thënë se ajo ishe pronë e bashkëshortes ndërtuar në 1997 kjo e dokumentuar edhe me foto gjatë ndërtimit e banimit ndër vite aty.

Ishte Komisioneri Publik, që ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e  konfirmoi në detyrë, duke kërkuar shkarkimin e Xhezair Zaganjorit. Komisioneri Florian Ballhysa është shprehur më herët se Zaganjori nuk justifikon pasurisë, ndërsa vetë Zaganjori edhe pse jo i pranishëm sot në seancë, më herët ka hedhur poshtë pretendimin duke kërkuar konfirmimin në detyrë.

Kryegjyqtari u konfirmua me mundim në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, në 24 korrik 2018. Në 6 gusht të 2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i kërkoi Komisionerit Publik të ankimonte vendimin e KPK, duke kërkuar shkarkimin e Zaganjorit nga detyra, me argumentin se ka shkelur rregullat dhe ligjet në fuqi në raport me pasurinë. Komisioneri Publik, në bazë të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Monitorimit shkarkimin të Zaganjorit, për shkak të pasaktësive në deklarimin e pasurisë, kontratave fiktive, mospagimin e taksave, mosjustifikimin e shpenzimeve me të ardhura të ligjshme etj.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, Zaganjori ka paraqitur pranë Kolegjit të Apelimit 23 prova të reja, për justifikimin e pasurisë.

Xhezair Zaganjori

Ardian Dvorani