Pasurimi, ja bllokmenët e
rinj, ata që zotërojnë vendin

TIRANE - Si sot 22 vite më parë, shumica e popullit shqiptar ishte nisur me ëndrrën për të rrëzuar ish-bllokun komunist, ku jetonin funksionarët më të lartë të rregjimit komunist. Një grup vilash në qendër të Tiranës ishin bërë personifikim i pabarazisë vrastare me popullin, i cili ishte katandisur që të jetonte në mjerim të thellë. Atëherë ish-pedagogu i mjekësisë, Sali Berisha nisej nga shtëpia e thjeshtë popullore në lagjen Brrakë të Tiranës, për tu bërë më pas politikani më jetëgjatë dhe më me pushtet në Shqipëri dhe për të qenë sot sërish kryeministër. Ai ka qenë, deri më sot, 12 vite në pushtet dhe 8 vite në opozitë. Prej vitit 2005 ai jeton, zyrtarisht në një apartament luksoz në rrugën "Mustafa Matohiti" në Tiranë, në një pallat të ndërtuar prej një biznesmeni të familjes, ku lejohet vetëm kalimi i shpejtë i këmbësorëve. Bashkë me të, kështu ndërruan dramatikisht mirëqenien e tyre, një aradhë zyrtarësh të lartë dhe biznesmenësh që janë krijuar gjatë qeverisjes së tij, apo të ish-kundërshtarit politik, një grusht njerëzish që sot janë posedues të të mirave materiale të Shqipërisë. Apartamentet, vilat nëpër fshatra, apo ato në bregdet janë ajo që mezi duket, sepse janë si maja e ajsbergut. E padukshmja, janë pasuritë e panumërta që kanë tashmë, falë zotërimit të gjithçkaje në vend.

WHO IS WHO
Sa janë? Në shtator 2012 studimi mbi pasurinë kryer nga "World Ultra Wealth 2012-2013", e radhiti Shqipërinë të 37-tën në Europë sa i përket numrit të të pasurve, duke lënë pas shumë vende të Europës dhe Ballkanit. Sipas raportit, në Shqipëri jetojnë 55 miliarderë, ndërsa vlera e përbashkët e pasurisë së tyre arrin në mbi 7 miliardë dollarë, ndërsa vende fqinje si Maqedonia kishte 35 miliarderë dhe Mali i Zi 21. Shqipëria la pas shumicën e vendeve të Rajonit për nga numri i milionerëve që kanë një pasuri prej më shumë se 30 milionë eurosh. Në Europë u morën në studim 45 vende dhe Shqipëria renditet në vendin e 37-të për nga numri i milionerëve. Sipas organizatës në fjalë, Shqipëria ka 55 individë, që kanë secili një pasuri prej të paktën 30 milionë dollarësh. Kriza e viteve të fundit duke se i ka bërë të pasurit shqiptarë edhe më të pasur, teksa rezulton që pasuria e tyre është shtuar me 4.1%, ndryshe nga tendenca globale në rënie. Në Shqipëri këta 55 persona zotërojnë gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

BLLOKU I RI
Të grupuar si dikur në bllok, ata sot kanë Shqipërinë. Nga fshatrat periferikë të Tiranës, te ata në bregdet, apo në mal, ata janë neobllokmenët, që e ngritën pasurinë e tyre marramendëse, në emër të rrëzimit të ish-bllokut komunist, pinjollëve të ish-drejtuesve të lartë të PPSH-së që u rrëzuan nga pushteti, duke nisur nga dhjetori i 22 viteve më parë.

Blloku i ri jeton apo do të jetojë së shpejti në zonën e Farkës dhe e Mulletit. Në kompleksin e parë rezidencial të ndërtuar nga një kompani turke në Lundër, banon Shkëlzeni, djali i kryeministrit, që sipas deklarimit të pasurisë, paguan 1000 euro në muaj qera. Një vilë e tillë sot kushton 250 mijë euro, por çmimi edhe 1.2 milionë euro. "Është një borgjezi që po blen vila dhe fenomeni është ai që ka ndodhur në shumë vende të botës. Qytetarët po i drejtohen fshatit, ndërsa fshatarët po i sulen qytetit",-deklaronte agjent imobiliar pak kohë më parë. Borgjezia e re janë sipërmarrësit e krijuar, pak prej aftësive dhe shumë prej njohjeve me pushtetin, politikanët dhe zyrtarë dhe më pak të huajt që punojnë në Shqipëri, apo diplomatët që I marrin këto banesa luksi me qera. Për të mos harruar vilat në bregdet. Nga e famshmi Gjiri i Lalëzit, te fshatrat e rinj, në Golem e më tej, ku edhe aty janë grupuar në një bllok, pushtetarë dhe biznesmenë të tyre.

VILAT JASHTE
Prona të patundëshme, por jo vetëm në Shqipëri. Duke shfrytëzuar krizën në Greqi, ku vendi, sipas gazetarit grek Stavros Tzimas, është kthyer në një panair "second hand" dhe ku mallrat e përdorur shiten nga e keqja me çmime nën vlerën reale, blerës janë edhe ministrat, politikanët dhe zyrtarët e lartë shqiptarë. Hektarë të tërë të Greqisë së Veriut po përpihen nga një pirateri e paqtë me vila luksoze dhe resorte pushimi. Pas miliarderëve rusë në listën vijnë emrat e qeveritarëve të lartë të Bullgarisë, Maqedonisë, Serbisë dhe… Shqipërisë. "Rusët po blejnë detin", shkruante, korrespondenti i veriut të Greqisë për të përditshmen "I Kathimerini", tre muaj më parë. Emra të hierarkisë së lartë ruse dhe përfaqësues të lartë të qeverive maqedonase, serbe, bullgare dhe asaj shqiptare.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)

pasurite vilat ministrat

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 25 Janar, 13:37

    A duhet të votojnë emigrantët që kanë vetëm dokumente identifikimi të huaja?



×

Lajmi i fundit

La Liga/ Mbappe shkëlqen me tre gola, Real Madrid fiton kundër Valladolid dhe nis 'arratisjen'

La Liga/ Mbappe shkëlqen me tre gola, Real Madrid fiton kundër Valladolid dhe nis 'arratisjen'