Duke folur në konferencën me temë "Promovimi i nismës për transparencë në industrinë nxjerrëse dhe përfitimi i komuniteteve", ministri Gjiknuri tha se ky regjistër elektronik do të bëjë të mundur transparencën e shfrytëzimit të pasurive natyrore
“Brenda vitit do të kemi mundësi të kemi një regjistër elektronik me të gjitha kompanitë e listuara si dhe liçensimet dhe konçensionet e dhëna. Ky është një element shumë i rëndësishëm i transparencës për të parë cilat kompani janë të ngarkuara në industrinë nxjerrëse. Qëllimi është të vemë në dispozicion të kompanive serioze mineralet nëntokësore, por përmes një procesi transparent.” deklaroi Gjiknuri.
Gjithastu Gjiknuri tha se shumë shpejt Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të hartojë një ligj që do të rregullojë edhe kaosin që ekziston në industrinë e nxjerrjes së mineraleve.
Ndërkohë nga ana tjetër Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu u shpreh se procesi i formalitetit në një sektor të tillë, është me interes për ekonominë e vendit.
“Më keni dëgjuar të flas për procesin e kalimit nga informaliteti në formalitet, dhe një pikë e rëndësishme është kërkesa për raportim. Çdo biznes do të duhet të raportojë. Kjo shkon krah për krah me transparencën. Dhe besoj se në një vend ku informaliteti ka mbizotëruar është paksa e vështirë që formaliteti të implementohet. Por procesi i formalitetit është me interes me vetë investitorin dhe për vetë ekonominë e vendit.” tha Arvizu.
Gjithashtu ambasadori Arvizu nënvizoi edhe faktin e rëndësisë së sigurimit të jetës së personave të cilët punojnë në këtë sektor.
KOKA: KRAHAS TRANSPARENCES, TE RUHET EDHE MJEDISI
Ndërkaq Ministri i Mjedisit, Lefter Koka u shpreh se përgjatë viteve pasuritë minerale janë shfrytëzuar siç e cilësoi ai në mënyrë barbare, ndërsa kërkoi që në këtë process të ruhet edhe mjedisi.
“Fjala transparencë në këto vite na ka shoqëruar në të gjitha fushat. Gjithashtu edhe fjala ndotje e mjedisit. Jam këtu për tju thënë që për të zhbërë atë që është bërë në këto vite nuk është e lehtë. Në Shqipëri pasuritë natyrore janë shfrytëzuara në mënyrë barbare. Detyra jonë minimale është që këto pasuri tja trashëgojmë edhe brezave të tjerë.” tha ministri Koka.
RAUNING: TRANSPARENCE EDHE PER VITET E KALUARA
Ndërsa ambasadori i OSBE-së në Tiranë Florian Rauning, pasi vlerësoi punën e bërë nga vendi ynë në dy vitet e fundit si vend anëtar i EITI (Nisma e Transparencës së Industrisë Nxjerrëse), theksoi se kërkohet raportim edhe për vitet 2010 dhe 2011.
“Në 2012 Shqipëria u bë një nga vendet anëtare të EITI. Megjithatë prezenca në këtë anëtarësim nuk është e përhershme, pasi kërkohet përgjegjësi dhe punë. Shqipëria ka bërë përparime në dy vitet e fundit por ka mungesa në raportimet në vitet 2010 dhe 2011.”
Rauning shtoi se përmes këto raportime do të ndihmojnë edhe në transparencën e këtij sektori për opinionin publik.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)