TIRANE – Një instruktor autoshkolle dhe një polic ushtarak janë vënë në pranga pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin u kërkonin 40 mijë lekë të rinj kursantëve në këmbim të kalimit të provimit teorik për lejen e drejtimit.

Sektori Kundër Krimit Ekonomik Financiar arrestoi në flagrancë instruktorin Ilia Ameti, 64 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, si dhe punonjësin e policisë pranë Policisë Ushtarake, Astrit Himën, 44 vjeç.

Dyshohet se dy të arrestuarit ndërhynin pranë anëtarëve të Komisionit për të shpallur fitues në provimin teorik ata kursantë të cilëve u kishin marrë lekë.

“Ju gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dosje të ndryshme kursantësh, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash. Materialet ju kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, njofton Policia e Tiranës.

Redaksia Online