Patozi: Për ata që po hedhin pushkë ndaj 'partizanëve' të anti-sistemit

Patozi: Për ata që po hedhin pushkë ndaj 'partizanëve' të anti-sistemit

Shqipëria ka nevojë për ndryshim thelbësor në politikëbërje, por ky objektiv nuk arrihet kurrë vetëm me ndërrimin e sistemit. BINDJA DEMOKRATIKE ka shpallur publikisht prej disa muajsh një platformë të plotë, që përfshin një gamë të gjërë ndryshimesh politike dhe institucionale, të cilën e kemi konsideruar një reformë të thellë zgjedhore. Mes të cilave, pa asnjë diskutim, sistemi ka rëndësi të dorës së parë, por i pashoqëruar me reforma të tjera, ai nuk do të kishte shumë vlerë.

Ndjeshmëria e lartë publike ndaj qasjes së forcave politike për sistemin ka dy arsye. Sepse, nga njëra anë, është shenja e parë që japin përfituesit kryesorë prej tij, se nuk kanë as më të voglën dëshirë për ta trazuar kënetën. Dhe kjo i jep fund debatit, ende pa filluar, sepse ndryshimi është praktikisht i pamundur. Dhe nga ana tjetër, sepse ai më shumë se çdo gjë tjetër i jep ushqim të gjitha veseve dhe paudhësive tona, sidomos të 10 vjeçarit të fundit, që e kanë çuar në këtë derexhe Republikën tonë.

Ndaj edhe avokatët e kurdisur të ruajtjes së statuskuosë nuk kanë pse shtyhen me njëri-tjetrin në garën marroka për të mbrojtur kryetarët e tyre, sepse nuk e ka thënë njeri që mjafton të ndryshosh sistemin dhe në Shqipëri do të pllakosë mrekullia. Është një debat që nuk e ka hapur kush, por ata po e vazhdojnë me një zell të admirueshëm për shkak të një kompleksi të fortë, i cili nuk është pa bazë.

Problemi i Partisë Demokratike nuk qëndron pse është kundër ndryshimit të sistemit, sepse çdo qëndrim për këtë temë është çështje bindjesh, kalkulimesh dhe interesash politike, për të cilat çdo parti nuk ka ndonjë arsye për t’u krenuar, por as për t’u turpëruar. Do të ishte shumë normale që ajo të shprehej e vendosur dhe e qartë që në fillim se nuk e do ndryshimin e sistemit dhe do të kishte qenë edhe vetë më e qetë sot. Natyrisht, edhe publiku nuk do të kishte asnjë pritshmëri prej saj. Siç e ka bërë, fjala vjen, Sali Berisha, që nuk ka pasur asnjë hezitim, por ka qenë shumë i vendosur kundër, sa herë që është pyetur për një sistem tjetër zgjedhor.

Por ajo në mënyrë hileqare ka zgjedhur të bëjë sikur po mendohet, herë duke u fshehur pas deklaratave të ndonjë aleati të vogël, e herë duke u maskuar pas deklaratave apo qëndrimeve me dy kuptime, të cilat tek dikush kanë zgjuar shpresa të kota. Dhe pyetja është se si ka mundësi që partia më e madhe e opozitës dhe më e vjetra e plaralizmit politik në Shqipëri nuk e ka ende një qëndrim zyrtar për këtë çështje kaq kardinale për vetë gjendjen dëshpëruese të demokracisë në Shqipëri?

Për ata që nuk e dinë ose e kanë harruar, hera e fundit që ajo ka marrë pjesë në një reformë zgjedhore, ka qenë viti 2012, pra plot 8 vjet me parë. Dhe ende nuk dihet se kur do të mbërrijë ajo ditë e bekuar, që dikush nga selia e PD t’ia bëjë bam, që populli të paktën të mësojë se si e do Shqipërinë e nesërme partia më e madhe e opozitës.

Ndërkohë që ne, si partia më e re në vend, kemi qenë të qartë që në ditën e parë të themelimit se çfarë kërkojmë, por përtej asaj, kemi depozituar prej disa muajsh në komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore një dokument të plotë për konceptin tonë për zgjedhjen e krizës, një element i të cilit është edhe ndryshimi i sistemit. Të cilin e kemi konsideruar një kontribut modest për nxjerrjen e vendit nga spiralja e krizave.

Pra, nuk ka asnjë justifikim tjetër që të përligjë këtë blerje kohe dhe se kjo që po ndodh është një taktikë e pastër politike për të shtyrë shpalljen e një lajmi të keq. Që do të thotë se PD i druhet një perceptimi negativ të publikut pas publikimit të vendimit të saj, i cili në fakt nuk do të jetë i ri, por i marrë prej shumë kohësh. Për të mos thënë, që është i njëjti qëndrim, i cili nuk ka ndryshuar asnjëherë.

Ndaj edhe sot jemi në këtë pikë, kur ka nisur të vijë era por ende nuk e kemi parë të digjet pylli. Mund të jetë punë ditësh, javësh apo muajsh, kjo ka pak rëndësi.

Ata që e presin, e duan apo janë gati të luftojnë për ndryshimin në Shqipëri, nuk duhet të kenë më asnjë shpresë se ai do të vijë asaj ane, por duhet të gjejnë mënyra dhe rrugë të tjera për ta provuar. Sepse në këtë rast, e ke shumë të vështirë që ta dallosh se ku fillon qeveria e ku mbaron opozita, ngaqë mendojnë dhe veprojnë absolutisht njësoj. Dhe për ta bërë këtë nuk ka nevojë të marrësh pushkën e të dalësh partizan, sepse sado i fortë mund të duket sot, koalicioni i mbrojtësve të sistemit mund të çahet vetëm me votë. Qoftë edhe duke luajtur me rregulla të këqija, si këto që kemi, të cilat po duan t’i mbajnë me thonj ata që kanë frikë.

PLATFORMA E BD E PLOTË PËR NJË REFORMË TË THELLË ZGJEDHORE

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja