Patozi: Votat për Ruçin, turp
ja pse i pari e ka votuar Basha

Patozi: Votat për Ruçin, turp<br />ja pse i pari e ka votuar Basha
Dy votat e PD për Gramoz Ruçin gjatë zgjedhjes së tij dje kryetar të Kuvendit, kanë sjellë reagimin e ish-deputetit të PD, Astrit Patozi. 

Patozi e cilëson këtë ngjarje si më të rëndë se vetë vjedhja e votës.

Ish-ligjvënësi demokrat i cili nuk u kandidua në zgjedhjet e 25 qershorit, tregon edhe bisedën me deputetin aktual të PD-së dhe aludimet se Basha ka votuar pro Ruçit, duke argumentuar këtë pretendim. 

"Një miku im deputet aktual i Partisë Demokratike me thonte mbrëmë i nervozuar se, nëse dikush e ble mandatin për t’u bërë deputet, ai nuk ka më asnjë detyrim politik dhe moral, ndaj edhe ngjarje të tilla nuk janë të papritura. Që do të thotë se ky është vetëm fillimi, por mund të ketë thagma edhe më të mëdha në të ardhmen. Dikush tjetër tha se një nga deputetët “e shitur” ka qenë vetë Lulzim Basha, për shkak të miqësisë së njohur botërisht të familjes së gruas së tij me Gramoz Rucin", shkruan Patozi. 

DEMOKRATËT NUK E MERITOJNË KËTË PËRFAQËSIM POSHTËRUES
Në korrik të vitit 2007 disa deputetë socialistë bashkuan votën me kundërshtarët e tyre, të Partisë Demokratike dhe të aleatëve të saj dhe për pasojë Bamir Topi u zgjodh President i Republikës. Nuk e kujtoj mirë, po atë ditë apo të nesërmen, kryetari i grupit të PS në atë kohë, Ben Blushi, dha dorëheqje të parevokueshme. Argumenti i vetëm ishte marrja e minimumit të përgjegjësisë ndaj një ngjarjeje të rëndë politike nga partia kryesore e opozitës.
Fiks 10 vjet më vonë, pikërisht dje në sallën e Kuvendit, 3 deputetë të Partisë Demokratike votuan pro zgjedhjes së Gramoz Rucit kryetar parlamenti. Në fillim pati një lloj heshtjeje hutimi dhe pas disa orësh, jo vetëm nuk u pa njeri të turpërohej, por u akuzua kundërshtari se na kishte vjedhur votat.
Mjafton kontrasti i fortë i këtyre qëndrimeve publike për histori të ngjashme shqiptare, që të kuptosh katandisjen e ububushme të Partisë Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës. I cili mbrëmë, në rastin më të mirë, duhet të ishte mbyllur në zyrë dhe të mbulonte kokën me peshqir, sepse cdo fjalë që mund të thonte do ta bënte edhe më të neveritshme atë që kish ndodhur.

Dhe duhet theksuar se Ben Blushi asokohe nuk kishte asnjë lidhje me listën e deputetëve, që dezertuan, pasi ata ia kishte lënë peshqesh Fatos Nano, që nga viti 2005. Ndërsa 3 “antikomunistët e tërbuar”, që votuan dje ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, ishin ekskluzivitet i kryetarit aktual të Partisë Demokratike. Ata i përkisnin listës fituese Basha, e cila u shpall me aq bujë dhe me aq vendosmëri, e cila ishte, sipas tij, jo vetëm më e mira dhe më përfaqësuesja, por ajo do të hidhte edhe themelet e Republikës së Re.

Dje e kam frenuar shumë veten të mos flisja, ngaqë mendova se ngjarja ishte aq e rëndë, sa turpëronte pafund cdo anëtar të Partisë Demokratike. Dhe se çdo fjalë që mund të thuhej, mund ta bënte edhe më të nderë atmosferën për çdo qytetar, që ka zgjedhur të jetë në opozitë me këtë qeveri.

Po kur shikoj se kjo “vjedhja” e votës është shndërruar në qëndrim zyrtar të partisë sime, nuk rri dot pa thënë se ky është fundi i çdo skrupulli dhe morali në politikë. Lulzim Basha duhet ta kursente këtë palaçollëk, sepse ajo është poshtëruese për ata 450 mijë shqiptarë, që me gjithë zhgënjimin e tyre të madh, sërish shkuan të votojnë siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit. Është më e pështirë edhe se vetë rrjedhja e votave, që në kontaktin e parë me parlamentin nga lista “e shkëlqyer” Basha.

Ajo është fyese për inteligjencën e cdo shqiptari, që ka një minimum respekti për të vërtetën, aq më tepër kur ajo konsumohet në sytë e të gjithëve. Por çdo sharlatan, që do t’i bjerë kësaj daulleje, në mungesë dhe me porosi të Lulzim Bashës, duhet të dijë gjithashtu se PD, që përfaqësohet kaq keq sot prej tyre në parlament, nuk ka detyrim vetëm ndaj demokratëve.

Si partia historike, që përmbysi diktaturën në Shqipëri dhe që ka qeverisur gjysmën e kohës që nga viti 1992, ajo ka një raport me cdo qytetar të këtij vendi dhe se kjo marrëdhënie nuk mund të telendiset në atë derexhe, që ta bëjë proçkën vetë në mes të ditës dhe në mes të parlamentit, dhe pa iu dridhur qerpiku, të thotë se ia bëri kundërshtari.

Dikush duhet t’u thotë këtyre kretinëve politikë, se edhe sikur të ishte e vërtetë që 3 votat opozitare për komunistin e tmerrshëm Gramoz Ruci të ishin vjedhur, ato nuk e shpëtonin dot faqen e Lulzim Bashës dhe të Partisë Demokratike, që drejtohet ende prej tij. Sepse, nëse kundërshtari arrin të t’i marrë votat edhe në sallën e Kuvendit, kur ti je i pranishëm me të gjithë depuetët e tu, i bie që të mos dalësh më kurrë në fushatë, se nuk ka idjot në Shqipëri që mund ta çojë ndërmend të votojë më për ty.

Por Lulzim Basha nuk e ka më fare këtë hall. Ai thjesht do të kalojë sa më lehtë këtë moment të vështirë, pak rëndësi ka fatura. Natyrisht, mua nuk më intereson fare fati i tij politik, që tashmë është i përcaktuar, por më dhimbset shumë ai i Partisë Demokratike, e cila është marrë peng prej tij. Asnjë demokrat dhe i djathtë në Shqipëri nuk e meriton atë përfaqësim turpërues, që lista Basha shfaqi dje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë dhe unë ftoj secilin prej tyre që të reagojë, jo vetëm sot, për ta ndalur këtë rrënim të pamerituar.

Një miku im deputet aktual i Partisë Demokratike me thonte mbrëmë i nervozuar se, nëse dikush e ble mandatin për t’u bërë deputet, ai nuk ka më asnjë detyrim politik dhe moral, ndaj edhe ngjarje të tilla nuk janë të papritura. Që do të thotë se ky është vetëm fillimi, por mund të ketë thagma edhe më të mëdha në të ardhmen. Dikush tjetër tha se një nga deputetët “e shitur” ka qenë vetë Lulzim Basha, për shkak të miqësisë së njohur botërisht të familjes së gruas së tij me Gramoz Rucin.

Megjithëse nuk kam asnjë të drejtë t’i hedh poshtë këto hipoteza apo deduksione, sepse nuk e provoj dot të kundërtën, unë nuk jam i prirur t’i besoj këtë versione. Por kjo nuk e lehtëson aspak Lulzim Bashën dhe as e shpëton disi imazhin e përlyer keq të Partisë Demokratike, që në hapjen e perdes së sezonit të ri politik.

Dhe e gjitha vjen sepse asgjë nuk ka ndodhur rastësisht dhe asgjë nuk ka ndodhur në një ditë. Ky është rezultati i një lëngimi të gjatë, që u shndërrua në sëmundje të pashërueshme, sidomos në katër vitet e fundit, nga dita kur Lulzim Bashës iu dhurua në tepsi kolltuku i kryetarit të Partisë Demokratike. I cili për shkak të mungesës edhe të cilësive më elementare për një lider dhe të paaftësisë së vet proverbiale, shpërdoroi cdo shans që i doli për para, për të vënë qoftë edhe një tullë në murin e ringritjes së opozitës shqiptare, e cila nuk ngriti kurrë kokë pas humbjes në zgjedhjet e 2013-ës.

Ndaj edhe “fitoret” ndoqën njëra-tjetrën, për të kulmuar në atë plebishitaren e 22 korrikut, ku e copëtuam “armikun” e brendshëm, duke votuar edhe nga 5 herë rresht, apo duke mbushur kutitë për të rrëmbyer ditën për diell mandatin e kryetarit të Partisë Demokratike. Të atij që sot po thotë se i kanë vjedhur votat, pikërisht ato që u shfaqën drejpërdrejt në kamera para miliona shqiptarëve në godinën më të rëndësishme të shtetit. A ka demokrat normal që mund t’i besojë më atij?

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit