TIRANE – Përkrenarja dhe shpata e Skëndërbeut do të sillen në Shqipëri për t’u ekspozuar për kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Premtimi ka ardhur nga vetë zv/kancelari austriak, Michael Spindelegger, gjatë një takimi me Kryeministrin Sali Berisha të zhvilluar dje në mbrëmje në samitin e Dubrovnikut ku po merrnin pjesë.

Spindelegger e quajti 100 vjetorin e Pavarësisë një jubilee të madh për vendin dhe në këtë kontekst premtoi kthimin përkohësisht në Atdhe të përkrenares dhe shpatës së heroit kombëtar.

Ministri austriak i ka premtuar Berishës se vendi i tij do të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në hapat e mëtejshëm drejt integrimit europian dhe marrjen e statusit kandidat, bëri të ditur një njoftim për shtyp Kryeministrisë në Tiranë.

Shefi i qeverisë shqiptare e falënderoi Spindelegger për të dy lajmet e mira dhe e ftoi atë që të zhvillojë një vizitë në Shqipëri.

(im/shqiptarja.com)