Tirane - 16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës u kujtua këtë të shtunë (17 shkurt) në Muzeun Historik Kombëtar. Në tryezën që bëri bashkë historianë e kontributorë shqiptarë të dy shteteve, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dilaver Goxhaj duke sjellë mbresat e kujtimet e tij, shtroi disa problematika ende të pazgjidhura që lidhen me luftën në Kosovë, duke nisur nga data e çlirimit. që sipas tij duhet të përkojë me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës në 9 qershor të ’99-ës.
“Data e vërtetë e Çlirmit të Kosovës është data e vërtetë kur Serbia pranon kapitullimin në atë luftë dhe e nënshkruan këtë kapitullim me prezencën e përfaqësuesve të NATO-s në Kumanovë. Kjo është dhe data e vërtetë e Çlirimit të Kosovës, por për fat të keq në Kosovë quajnë datë çlirimi dhe datën 12 qershor, ditën që hyjnë forcat e para tokësore të NATO-s, që në fakt ishin forcat serbe të cilat vrapuan dhe zunë Urën e Ibrit në Mitrovicë dhe e quajnë atë datë çlirimi. Sepse në të vërtetë forcat e Natos kontribuan me avacion, por jo me forca tokësore. Madje për ndërhyrjen me forca tokësore Nato nuk ka qenë dakord. Fillimisht edhe Klinton ishte në kundërshtim të futeshin forcat tokësore por në fund në 24 maj tha po qe se Millosheviçi do të vazhdojë me kokëfortësinë e tij ne do të hyjmë me forcat tokësore”, thotë më tej ai.
Disa nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare, figura kyçe të për mbërritjen e deklaratës së Pavarësisë, si ish-presidenti e Kosovës Hashim Thaçi sot gjenden në Gjykatën e Hagës, të akuzuar për krime lufte.
“Të gjitha fatkeqësitë kombëtare shqiptarët i kanë nga vetja . Vetë Parlamenti i Kosovës e miratoi këtë gjykatë një etnike kundër UÇK-së. Nuk njihet në historinë botërore që në gjyq të venë çlirimtarët . Çlirimtarët bëjnë historinë jo të venë në gjyq. Dhe e miratuan që kjo gjykatë të bëhet me akuzën, që është apo nuk është organizatë terroriste UÇK-ja e Kosovës. E miratuan dhe vanë vetë atje në Hagë. Ata e meritojnë ndëshkimin, por nga gjykatat shqiptare jo nga gjykatat e huaja ndërkombëtare. Pse e miratuan këtë gjykatë? Ky është krim historik jo vetëm krim ndaj vetes dhe UÇK-së por është krim historik. Është turp për Kosovën, turp për historinë”, thotë më tej.
Në mbërritjen e këtij përvjetori Pavarësie, kontributi kryesor u takon veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare, por statusi dhe të drejtat e tyre, është një objekt përplasje mes këtyre të fundit dhe qeverisë së Kosovës.
“Parlamenti i Kosovës në 2014-ën miratoi ligjin për veteranët dhe vendosi një paradoks të jashtëzakonshëm në nenin 16 pika 2 thotë që të gjithë veteranët qytetarë të Kosovës duhet të zgjedhin, ose shpërblimin e luftës që e quajnë pension,ose rrogën që marrin, ose pensionin e pleqërisë. Dhe në këtë ligj janë të gjithë ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kështu që ata nuk e marrin.. Albin Kurti e zbatoi këtë nen edhe për veteranët nga Shqipëria”, shprehet Goxhaj.
Serbia nuk ka hequr dorë nga aleanca me Rusinë, pavarësisht konfliktit me Ukrainën. Nëse një pozicionim i tillë, nuk i dobëson mjaftueshëm përfitimet e këtij vendi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, a mund të forconte riskun në rast depërtimi të Rusisë në Ballkan?
“Rusia nuk mund ti vijë në ndihmë Serbisë, sepse Rusia është e rrethuar nga vendet e Natos nga Hungaria, Bullgaria, Çekija... Vetëm për të ardhur në Shkup Ministri i Jashtëm i Rusisë erdhi nga deti se nuk e lanë të vinte mbi avion këto vende të Natos. Jo më të vijë Ushtria Ruse , këto janë vetëm për politikë... për konsum politikë për të treguar sa atdhetar ‘jemi në këto kryeministrat’.”, thotë ai.
Goxhaj shpjegon nëse zgjedhja e qeverisë shqiptare për të dalë “dhëmbë për dhëmbë” kundër një superfuqie si Rusia, është ajo e duhura.
“Më vjen keq por Republika e Shqipërisë do të ishte mirë të ruante neutralitetin”, konkludon ish-koloneli.
Pavarësia e Kosovës u kujtua sot edhe nga Shoqata e Historianëve Ushtarakë, Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Luftës Antifashiste, studiues e personalitetet të historisë e kulturës.