Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi mori pjesë në pritjen solemne me rastin e 18-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Peleshi e konsideroi Pavarësinë e Kosovës një nga aktet më të ndritura në historinë moderne kombëtare duke theksuar se ajo përfaqëson triumfin e të drejtës së një populli për të jetuar i lirë, sovran dhe i pavarur pas dekadash shtypjeje, diskriminimi dhe dhune sistematike.
Ai vlerësoi sakrificën dhe qëndresën e popullit të Kosovës, si dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në realizimin e këtij qëllimi historik.
Peleshi shprehu shqetësimin për proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të luftës çlirimtare duke theksuar se drejtësia për ta lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë e vetë kauzës së Kosovës. Ai kujtoi gjithashtu Deklaratën e 13 shkurtit të Kuvendit të Shqipërisë në mbështetje të Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare duke e cilësuar këtë qëndrim si një detyrim moral, historik dhe kombëtar.
Lidhur me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, Peleshi heksoi se ato janë marrëdhënie vëllazërore dhe një partneritet strategjik, i bazuar në histori, sakrifica dhe aspirata të përbashkëta për integrim euroatlantik. Ai nënvizoi angazhimin për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian, NATO dhe Këshillin e Europës.
Sipas Peleshit, Pavarësia e Kosovës është një fitore e lirisë mbi shtypjen dhe një krenari për gjithë kombin shqiptar duke uruar institucionet e Kosovës për sukses në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur Kosovën në rrugën e integrimit euroatlantik.
Komente









