Pavarësia, Shpëtimi i Vlorës:
Festë me flamuj e jo me qingja

Pavarësia, Shpëtimi i Vlorës: <br />Festë me flamuj e jo me qingja
VLORE - Më 28 nëntor Vlora do të do të jetë në ditën e saj më të bukur festive. Ajo do të ketë pamjen e ndriçimin e një zonje që 100 vjet më parë lindi një shtet, e mandej punoi për një komb, e më tepër ndryshoi një mendësi…. Flamuri shqiptar, do të valëvitet në çdo ballkon, në dyqane e shtëpi, në rrugë, makina e autobusë… Por do të jetë flamuri që ngriti Ismail Qemali në Vlorë dhe jo ai i deformuari që po valvitet në institucionet e shtetit, këtij shteti që ngjall përçarje e jo bashkim, që duan të festojnë në Tiranë me një tortë 4 tonëshe thua se po thyejnë rekordin Gines e të mbushin rrugët me gjak, duke therur mijëra deshë e qingja… Shpëtim Gjika, kryetari i Bashkisë së Vlorës na rrëfen në këtë intervistë ekskluzive çdo detaj të kësaj atmosfere rreth ditës së shënuar që po troket në qytetin e flamurit. Por Gjika sjell komentet e tij edhe për shumë ngacmime e replika, që po gëlojnë këto ditë, rreth lënies në hije të Vlorës dhe përqendrimin e festimeve në Tiranë, rreth investimeve të shumta në qytetin e flamurit, të cilat do të mbyllen para ditës së festës, dhe problemin e heqjes së fondit prej 870 milionë lekësh për bashkinë e Vlorës.

100 vitet e Pavarësisë, në një koncept të përgjithshëm çdo të thotë për qytetin e Vlorës?
Në radhë të parë dua t'ju falënderoj ju dhe gjithë median për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë bashkisë së Vlorës e bashkë me të gjithë vendit për të qenë sa më afër qytetarëve në këtë 100-vjetor të krijimit të shtetit shqiptar. Në një koncept të përgjithshëm, përtej ceremonive, festimeve, deklaratave, përgatitjeve, posterave, flamujve, etj, 100 vjet Pavarësi, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por për çdo shqiptar nga Vermoshi në Konispol, shqiptarë të Malit të Zi e të Kosovës, shqiptarë të Maqedonisë apo Çamërisë, pra brenda dhe jashtë vendit. 100 vjet pavarësi, do të thonë 100 vjet maturi përgjegjësi, punë e pamasë për të arritur këtu ku jemi. Mund të jemi kombi më i vjetër në Europë, historia nuk ka qenë në krahun tonë, derisa 100 vjet më parë burrat e mençëm të këtij vendi u mblodhën për të thënë "boll më". Kjo ditëlindje shtrohet këmbëkryq mes vlonjatëve, që kanë të drejtë të ndjehen krenarë në festimet e këtij 100-vjetori. Dhe festimet për qytetarët e bregut kanë filluar që nga 1 janari i këtij viti. Pavarësisht se kanë tentuar deri në orët e fundit ta prishin këtë festë, ashtu sikurse për interesa politike donin të prishnin edhe shumë festa të tjera për shqiptarët, në një aspekt shumë të rëndësishëm kjo është një ditëlindje që e gjen faktorin shqiptar më të faktorizuar se kurrë më parë në Ballkan, Evropë e më gjerë. 100 vitet e pavarësisë e gjejnë Shqipërinë të çliruar nga diktatura komuniste, e gjejnë Kosovën të pavarur duke ecur drejt Evropës me hapa të sigurta, e gjejnë më të përfaqësuar në nivelin politik Çamërinë e të drejtat e saj, i gjejnë me më shumë mbështetje shqiptarët në Maqedoni e mal të zi; këto 100 vjet na gjejnë anëtarë të NATO-s e faktor stabiliteti në Ballkan. Shkurt, nuk jemi si 100 vjet më parë kur kërkonim me çdo kusht një aleat të na mbronte në Konferencën e 1913 të ambasadorëve në Londër; jemi një vend partner i barabartë mes të barabartësh, në vendimmarrje dhe reagime. Shqipëria 100-vjeçare, ka ende shumë sfida përpara, thjesht, duhet vullneti i disa burrave dhe grave për ta parë realitetin në sy dhe qartë.

E kishit imagjinuar ndonjëherë që do të kishit fatin dhe privilegjin për të qenë qytetari i parë, i qytetit të pavarësisë, në festimet e 100- vjetorit?
Patjetër që e kisha imagjinuar, por edhe sikur mos të isha unë, çdo vlonjat do të ndihej po aq krenar, pavarësisht i cilës forcë politike mund të ishte. Madje edhe gjuha e mosbesimit që përgjatë këtyre ditëve të fundit kërkon të penetrojë në Vlorën e festës, duket shumë herë më e varfër se ajo e besimit. Në Vlorë, për 100 vitet e pavarësisë, nuk ka ngjyrë, socialistë apo demokratë, të kuq apo blu, çam apo minoritarë, të pasur a të varfër, nxënës e studentë, të punësuar apo të papunë. Festa është një për ne të gjithë. Kush I thotë vetes vlonjat, apo edhe shqiptar do të ndihet i fyer nga çdo lloj provokimi për të ndarë festën më të madhe të shqiptarëve në këto vite. Sa për mua? Mendoj se do të bëj më të mirën ashtu sikurse jam përpjekur gjatë gjithë këtyre viteve që qytetarët më kanë besuar votën e tyre. Ndihem i privilegjuar për mundësinë që më është dhënë, jo në sensin e dirigjimit të festimeve, por për t'i shërbyer çdo qytetari të vetëm nga Vlora ose jo, për të qenë si në shtëpinë e tij në këtë 100 vjetor. Ne gjithmonë e kemi pasur një festë të madhe 28 nëntorin, e këtë vit, them se duhet ta festojmë më të bashkuar se kurrë.

E keni justifikuar besimin që Vlora ju ka dhënë në këto mandate për të qenë ju qytetari i parë i saj në këto festime?
Këtë e kanë treguar qytetarët gjatë viteve të kaluara, e do të vazhdojnë ta tregojnë ata. Nuk ka kaluar shumë kohë që e kanë treguar me votën e tyre në zgjedhjet e vitit të kaluar për pushtetin vendor. Do ta tregojnë më së miri këtë në zgjedhjet e vitit që vjen. Këtu shprehet besimi dhe vullneti se çfarë duan qytetarët e Vlorës. Por tani, duke iu referuar këtyre festimeve, nuk kemi të bëjmë me një festë që mirëpret vetëm vlonjatët. Vizitorët tanë të asaj dite do të jetë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi si dhe shumë shqiptarë që jetojnë në shtete evropiane apo përtej kontinentit. Përgjatë gjithë këtyre ditëve kemi bërë të pamundurën për ta bërë të thjeshtë mënyrën sesi do të angazhohemi atë javë të fundit të festimeve. Ndaj them se si qytetari i parë i Vlorës do të jem edhe i pari që do t'i mirëpres. Tradita, asnjëherë nuk na mungon në këtë drejtim dhe në këtë qytet.

Ka një lloj skepticizmi të qytetarëve për arritjen e objektivit që Vlora do të mund të rikthehet në një formë ideale në 28 nëntor. Në fakt a do të mund të mbyllni të gjitha këto investime që janë hapur në qytet?
Nuk ka ndodhur ndonjëherë që qytetarët e Vlorës të shohin me skepticizëm atë që ndodh në qytetin tonë. Askush nuk është skeptik, askush nuk është i trembur. Ndoshta ju si gazetare kërkoni të provokoni në mënyrën sesi do të shikoni këtë realitet, aq më tepër ndryshimin e Vlorës. Është e vërtetë se Vlora është kthyer në një kantier të madh ndërtimi. Nuk ka asnjë diskutim se në datën 28 nëntor qyteti do të jetë në ditën e tij më të bukur festive. Investimet do të kenë përfunduar, edhe pse ishin dhe janë të qarta tentativat e qeverisë për të prishur festën në qytetin e Pavarësisë. Dhe e gjithë kjo që po ndodh, nuk ka të bëjë vetëm me datën e këtyre festimeve; ka të bëjë me mentalitetin dhe mendësinë, se, bllokimi apo dështimi, do të bëjë fajtor ndokënd apo ndonjë forcë politike. Kjo qeveri nuk po ecën me mendimin për të vlerësuar momentin, apo për t'u treguar gjithë shqiptarëve kudo që janë se ky është një çast i madh. Nëse qeveria ka menduar në një mënyrë apo një tjetër se do të na bëjë gazin e botës, duket se e ka menduar gabim. Me këtë lloj mënyre kjo qeveri mendoi se do të ecë në rrugët tona dhe të gjithë Shqipërisë duke menduar se "nuk do të tërheqë vëmendjen e askujt". Ja që i kanë bërë llogaritë pa të zotin e punës, dhe kur e them këtë, nuk kam parasysh Shpëtimin si individ, por për gjithë Vlorën e gjithë qytetarët e saj. Unë i garantoj jo vetëm vlonjatët që e dinë dhe e kanë të qartë, por të gjithë qytetarët kudo që janë, se Vlora atë ditë do të ketë pamjen e ndriçimin e një zonje që 100 vjet më parë lindi një shtet, e mandej punoi për një komb, e më tepër ndryshoi një mendësi, për të ardhur në bashkimin e madh në një ditë të veçantë si ajo e 28 nëntorit.

Cilat janë aktivitetet që ka organizuar bashkia e Vlorës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë?

Aktivitetet nuk i përkasin vetëm datës 28 nëntor. Kush ka qenë i kujdesshëm dhe kjo ka rënë në sy të të gjithë qytetarëve të Vlorës, e di shumë mirë se gjatë gjithë këtij viti, ka pasur shumë aktivitete, duke filluar që nga muaji janar. E kemi konsideruar vitin 2012 si vitin e Pavarësisë dhe e kemi arritur. Përgjatë gjithë vitit ka pasur aktivitete kulturore, sportive e politike, ka pasur konferenca shkencore dhe promovime librash, ekspozita të ndryshme, aktivitete të shkollave të mesme, por edhe të Universiteteve, debate publike dhe personalitete që kanë vizituar qytetin duke folur përpara auditorëve të zgjeruara, për të rrëfyer historinë e Vlorës, historinë e gjithë Shqipërisë. Pra, i kemi dhënë qytetit larminë e punëve që kemi bërë këtu brenda dhe gjallërinë për të shijuar me gjithë mundësitë edhe atëherë kur janë dukur ndoshta të parealizueshme, 100-vjetorin e pavarësisë.

Shoh që Vlora është tejmbushur me flamuj dhe reklama në të gjitha cepat e saj. A ka një vetëdije maksimale për vështirësinë e këtyre festimeve?
E keni fjalën për banderat që janë në anë të rrugës? Po gjatë gjithë këtij muaji reklama kryesore është ajo e pavarësisë, por kujtdo që hyn në qytetin e Vlorës do t'i sugjeroja: hidhni një sy në ballkonet dhe dritaret e shtëpive e pallateve, jo vetëm në bulevardin kryesor, por në çdo cep të qytetit. Dhe do të shikoni se festa e të gjithë shqiptarëve ndihet shumë herë më shumë në Vlorë. Në dyqane, në ballkone, tarraca shtëpish, makina, autobusë urbane, furgona në rrugë, valëvitet flamuri shqiptar. Ne shqiptarët kemi rregullat tona, ndoshta edhe inatet tona, por kur vjen puna te flamuri, kemi një vetëdije ndryshe, nuk kursejmë shumë. Në Vlorë nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë ajo që po ngjet në Tiranë, kur në institucionet kryesore të shtetit në Parlament, Qeveri e nëpër disa ministri, kanë zgjedhur edhe flamurin e deformuar, apo të gabuar, që valëvitet sikur nuk vihet re nga askush në institucionet kryesore të shtetit shqiptar. Madje, sikurse lexuam në media, edhe flamuri që është vënë te Monumenti i Skënderbeut në qendër të kryeqytetit, është njësoj i deformuar. Është turp për një komb që në festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë të lejojë me vetëdije gafa të tilla, që shpejt kthehen në gabime. Këto janë vështirësi festimesh, por jo nga mosdija, por nga mosdëshira për t'i dhënë kësaj feste ngjyrat që duhet.

Keni deklaruar që qeveria të vijë me bukë me vete në datën 27 në darkën zyrtare. E dini si do të jetë ky organizim? Kush e bën?
Po e kam thënë këtë, sepse sipas protokollit të shtetit, dreka e festimeve shtrohet nga kryetari i Bashkisë së Vlorës dhe kjo do të bëhet në datën 28 nëntor në drekë, ditën e pavarësisë ditën e festimeve të 100 vjetorit. Qeveria ndryshe nga Protokolli i shtetit, ka menduar për një tjetër protokoll: të zhvillojë një darkë zyrtare në datën 27 nëntor. E kush e shtron këtë darkë? Në këtë kuptim e kam thënë shprehjen se qeveria duhet të vijë me bukë me vete në datën 27 nëntor në mbrëmje. Ne nuk na kanë dhënë informacion zyrtar deri tani nga qeveria se cila do të jetë agjenda që duan të bëjnë. Nuk kanë pasur asnjë kontakt për të rënë dakord se çfarë duhet të ndryshojmë dhe të koordinojmë: në një pikë duket se jemi të gjithë dakord që sipas protokollit të shtetit datën 28 nëntor në krah të kryetarit të bashkisë së Vlorës, presidenti i republikës do të ngrejë flamurin në sheshin kryesor të qytetit. Pas kësaj do të jenë përshëndetjet e rastit. Këtu, duket se festimet ndahen me thikë: kryetari i bashkisë së Vlorës si çdo vit tjetër shtron drekën zyrtare me të gjithë të pranishmit në ceremoni, ndërkohë që sipas asaj që kanë deklaruar zyrtarët e qeverisë, ata do të largohen nga qyteti i Vlorës për të vazhduar festimet në Tiranë. E përsëris, askush nuk duhet të mendojë se po bëjmë një padrejtësi: po bëjmë atë që i takon qytetit, nderimin dhe respektin që i takon në panteonin e festimeve të 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar.

Të kalojmë te pyetjet që kanë të bëjnë me skeptikët e idesë që mbroni ju: në fakt ata thonë se 100 vjetori është i krijimit të shtetit shqiptar, dhe për këtë arsye do të ishte mirë që festimet kryesore të bëhen në kryeqytet, dhe merret si shembull festimi i festës kombëtare të Italisë. Në fakt nuk do të kishte më shumë sens që dreka zyrtare të bëhet në Tiranë për të gjithë delegacionet?
Një propagandë e tillë është sa e shëmtuar aq edhe përçarëse në një moment kur të gjithë shqiptarët duhet të tregojnë se janë më të bashkuar sesa ndonjëherë tjetër. Askush, as unë as qytetarët e Vlorës, as forcat opozitare, as të gjithë ata qytetarë që duan të vijnë në qytetin e Vlorës për të parë vendin ku Ismail Qemali ngriti Flamurin, nuk nisen nga ideja se ç'qytet ka ekskluzivitetin e festimeve të 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar. Festimet i ka Shqipëria. Bashkia Vlorë nuk po kërkon as më shumë e as më pak, por respektimin e protokollit që ka për festën e Pavarësisë dhe 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar. Duam të bëjmë atë që kemi bërë përpara një viti, apo në 95-vjetorin e Pavarësisë, apo edhe në jubileun e 90-vjetorit etj. Tirana, si kryeqyteti i gjithë shqiptarëve merr rëndësinë e tij në këtë ditë historike. Nuk duhet të marrim avionët për të lëvizur nga një qytet të tjetrin dhe të respektojmë këtë ditë të shtrenjtë. E për më tepër, nuk besoj se do të prishet ndonjë festë në Tiranë. Na është bërë e qartë nëpërmjet medias gjatë kohëve të fundit se Bashkia Tiranë kërkon të bëjë një tortë katër-tonëshe në mes të qytetit vetëm e vetëm për të thyer rekordin Gines, e jo për të festuar Pavarësinë; apo sikurse ajo deklaratë qesharake e therjes së 1000 deshve e 1000 qengjave për gostinë e madhe të Shqiptarëve. Nuk e di, por Saliu dhe Luli mund të mendojnë të inskenojnë skena lufte e gjaku, apo çështje kurbanesh, siç bëri kur hyri në derën e bashkisë së Tiranës. Kjo është absurde dhe e turpshme. Një gjë e padëgjuar më parë në asnjë vend, apo e dëgjuar vetëm në kontinentet e largëta të ndonjë fisi të humbur, kur për nder të prijësit të fisit theret gjithë gjëja e gjallë.
Vlora do të festojë ndryshe. Vlora do të festojë me flamuj e lule, me koncerte, kujtime, respekt dhe nderim për ata burra që 100 vjet më parë në rrethimin e madh arritën të ngrenë flamurin këtu; Vlora do të festojë dhe me të gjithë ata njerëz të fortë e të mençëm, që këto vite ngritën lart emrin e vendit tonë. Ne sot, duket se kemi një rrethim më të madh për të çarë: jo armiqtë e huaj, por mentalitetin e brendshëm mes shqiptarësh brenda vendit. Do të duhet të luftojmë me një mentalitet meskin, që "sponsorizohet" dhe ushqehet ditë pas dite nga kryeministri. Vlora, nuk do ta lërë të ndodhë.

A keni konfirmim se cilët ambasadorë do të jenë të pranishëm në drekën zyrtare që bën bashkia e Vlorës në datën 28?
Jemi të paktën 10 ditë përpara datës së festimeve. Bashkia e Vlorës i ka ftuar të gjithë, jo vetëm trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, por shqiptarët anembanë. Dikush do të dojë të thotë se është qytet i vogël për ti mbajtur të gjitha dhe të gjithë. Do t'ju tregojmë atë ditë se çdo shtëpi dhe zemër vlonjate do të jetë e hapur për të gjithë ata që do të nderojnë qytetin dhe festën e gjithë shqiptarëve.

Ju vetë do të jeni në Tiranë në festimet e pasdites në institucionet shtetërore për festën e pavarësisë?
Deri në këto momente për të mbaruar në kohë gjithë këto aktivitete, por edhe investime, nuk kam pasur kohë të shoh agjendën se si do të jetë organizimi i festimeve. Jemi fokusuar këtu për këtë festë të madhe. Sigurisht, do të përpiqem maksimalisht, të jem kudo që do të festohet 100-vjetori i krijimit të shtetit shqiptar. Edhe nëse nuk do të arrij dot për shkak të agjendës, në çdo qytet ku do të ketë ceremoni, duke përfshirë kryeqytetin, ju garantoj se vlonjatët do të jenë aty, njëlloj të përfaqësuar.

Si u zgjidh çështja e heqjes së fondit prej 870 milionë lekësh për bashkinë e Vlorës?
Me çfarë po shohim, jo vetëm nuk është zgjidhur, por është rënduar më tepër se ç'duhet. Kjo qeveri gjithmonë e më shumë, po më duket si një hajdut që ka vënë kapuçin në kokë, dhe do të vjedhë gjithandej nga mundet. Në një mënyrë brutale, agresive, pa ligj, i hoqi qytetit të Vlorës grantin e 870 milionë lekëve, pikërisht kur e dinin shumë mirë që këto para po shkonin për investimet përfundimtare në impenjimin për përgatitjet e fundit të 100-vjetorit. Por, sikurse e shohim situatën e këtyre ditëve, ato lekë që qeveria dhunshëm ia mori pushtetit vendor në një ndërhyrje brutale sidomos në Bashkitë që drejtohen nga të zgjedhur vendor të PS, nuk ia ka dhënë kompanisë CEZ sipas detyrimit dhe deklaratave se pse na i mori, por, i ka mbajtur për buxhetin dhe për të pretenduar se do të dalë nga kriza. Është e turpshme të mendohet se një qeveri që i jep disa operatorëve 1 milionë euro për tre koncerte në qendër të Tiranës, në mënyrë arrogante kërkon të pengojë punën e pushtetit vendor. Pra, kjo qeveri mendon se ka para për të therur desh e dele, apo edhe për torta gjigande, apo edhe për mënyrë abuzive të harxhimit të parave për koncerte që nuk dihet sesi do të zhvillohen e kush do t'i organizojë, por kjo qeveri, nuk ka para për t'u kujdesur për qytetarët e vet, për mënyrën sesi do të kalojnë festën, për lehtësimin e pushtetit vendor në çështjen e investimeve, etj.
Vlora ia ka dalë gjithmonë. Dhe realisht e mendojmë se zbukurimit të ditës së festës do t'i bashkohen të gjithë. Deri ditën e fundit do të punojmë që të mblidhemi të gjithë bashkë. Do të kemi mundësi të ulemi dhe kuvendojmë ashtu sikurse 100 vite më parë. Do të bindim këdo majtas e djathtas, çam e minoritarë, nxënës e studentë, se kjo festë nuk ka ngjyra famujsh partiakë, por vetëm të flamurit kombëtar me shqiponjën dykrenore. Duhet të kuptojmë se ajo që ne do të bëjmë sot, nuk na vlen vetëm ne, por edhe brezave pasardhës, nuk u vlen vetëm shqiptarëve të Shqipërisë, por gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve; nuk është një çështje ndasie; është një çështje bashkimi. Evropa është vetëm një hap larg. Thjesht duhet të nxitojmë dhe të ecim me hapa konkretë për të realizuar një tjetër ëndërr të të gjithë Shqiptarëve. Ky është një çast i madh për të gjithë ne, për ti thënë "po" flamurit tonë, dinjitetit tonë atdhetar, kulturor, historik e njerëzor. Koha po na përball me sfida të mëdha, prandaj më shumë se kurrë dita e Flamurit kërkon që ne të kontribuojmë të gjithë së bashku për të festuar me krenari ditëlindjen e 100-të të historisë dhe shtetit tonë, për t'i dhënë dinjitetin e merituar me entuziazëm e dashuri.

Shkrimi u botua në suplementin RILINDASI në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com (E Dielë, 18 Nëntor)


(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Spektakël nga Xherdan Shaqiri, shënon tre gola dhe i jep kreun Baselit në limite

VIDEO/ Spektakël nga Xherdan Shaqiri, shënon tre gola dhe i jep kreun Baselit në limite