Pavijoni i Rilindjes Kombëtare
mjedis tërheqës për vizitorët e shumtë

Pavijoni i Rilindjes Kombëtare<br />mjedis tërheqës për vizitorët e shumtë
Pavijoni i veçantë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mbetet një prej mjediseve më tërheqëse për vizitorët e shumtë në Muzeun Historik Kombëtar.
 
Ky pavijon ndodhet në katin e tretë të Muzeut ku përmes objekteve të larmishme, paraqitet historia dhe kultura e shqiptarëve.
 
Pavijoni i Rilindjes Kombëtare është një nga më të pasurit me objekte origjinale, dokumente, libra, fotografi, flamuj kombëtarë, armë, kartëmonedha dhe objekte të tjera. Shumica e koleksioneve të objekteve janë unike për historinë dhe kulturën kombëtare të shqiptarëve. Objektet e ekspozuara në vitrinat e këtij pavijoni i përkasin periudhës nga mesi i shekullit XIX deri në vitin 1912.

muzeu
 
Në një prej vitrinave është ekspozuar “Evetari” i Naum Veqilharxhit, botuar në Rumani në vitin 1844, që është abetarja e parë në gjuhën shqipe. Në dhjetor 1877, u formua në Stamboll komiteti kombëtar me emrin “Komiteti Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” (Komiteti i Stambollit). Kryetar i tij u zgjodh Abdyl Frashëri.
 
Ndërmjet objekteve të rëndësishme kombëtare të ekspozuara në këtë pavijon, është koleksioni i armëve të punuara me material argjendi në filigram në formë shqiponje, që ndodhen në pjesën ballore të Pavijonit. Tërësia e armëve të ekspozuara përbën monumentin kryesor emblematik kushtuar një prej ngjarjeve kryesore të historisë së shqiptarëve “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” 1878-1881. Ideja e kompozimit të shqiponjës me armë i përket Fisnik Sinës.
 
muzeu
 
Objekt me vlerë kombëtare është flamuri i Shoqërisë patriotike “Dëshirë” e kolonisë së shqiptarëve të Sofjes në Bullgari. Ky objekt është vendosur në nderim të kontributit të kolonive shqiptare jashtë atdheut, që ndihmuan për zhvillimin e atdheut dhe të kombit shqiptar. Shumica e shoqërive shqiptare në këtë periudhë punuan për zhvillimin e gjuhës dhe shkollave shqipe si dhe për botimin e librave dhe të gazetave në gjuhën amtare. Kjo shoqëri u themelua më 15 gusht 1896.
 
Foto e flamurit të Shoqërisë “Dëshirë” të kolonisë së shqiptarëve të Sofjes, 1904
 
Vizitorëve u jepet mundësia për të parë nga afër skrivaninë (tryezën e punës) dhe koleksionin e librave të Sami Frashërit (1825-1904), njërit prej përfaqësuesve më të shquar të ideologjisë kombëtare shqiptare. S. Frashëri është një nga personalitetet më të shquara në fushën e albanologjisë, turkologjisë, publicistikës, përkthimit, letërsisë, politikës dhe enciklopedisë. Pamfleti politik “Shqipëra ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, botuar në Bukuresht në vitin 1989 është një nga veprat më të rëndësishme të mendimit politik dhe ideologjik të shqiptarëve të periudhës XIX-XX.
 
Objektet e tjera i përkasin periudhës nga mesi i shekullit XIX deri në vitet ’30 të shekullit XX. Rilindja Kombëtare Shqiptare qe një lëvizje e gjerë politike-kulturore, që synonte çlirimin dhe bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, si edhe zhvillimin e gjuhës, të arsimit e të kulturës kombëtare. Ajo përfshin periudhën nga vitet 30-40 të shekullit XIX deri në vitin 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
 
Bartës të ideve të Rilindjes u bënë intelektualët dhe tregtarët shqiptarë, që jetonin dhe punonin në qytete të ndryshme të Europës. Rilindësit e parë shqiptarë, si Naum Veqilharxhi, Jeronim de Rada, Kostandin Kristoforidhi, Zef Jubani etj. hartuan tekste shkollore, si dhe vepra shkencore e letrare. Me shkrimet e tyre, rilindësit e parë i dhanë rëndësi sidomos lëvrimit të gjuhës amtare mbi bazën e një alfabeti të përbashkët dhe përhapjes së shkollës shqipe.

Foto e shqiponjës në ballinën e Pavijonit të Rilindjes Kombëtare e stilizuar me armë.

kulture


/ATSH/


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Interi feston yllin e dytë me trofeun e kampionit

VIDEO/ Interi feston yllin e dytë me trofeun e kampionit