Një tjetër hapësirë e re kulturore që sjell pranë publikut vlerat e etnografisë, historisë dhe traditës korçare gjendet tashmë në pazarin e vjetër të Korçës.
Galeria “Etno Art” e konceptuar nga kostumografja dhe artizania Lirika Pojani, është një vazhdimësi e punës dhe përkushtimit të saj shumëvjeçar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Nisma synon të tërheqë jo vetëm turistët, por edhe të gjithë ata që duan të njohin më nga afër historinë dhe identitetin e Korçës.
Galeria është organizuar në tre ambiente të veçanta, ku vizitorët mund të eksplorojnë jetën rurale, komunitetet dhe traditat qytetare korçare. Kostumet popullore, objektet familjare dhe elementët autentikë të së kaluarës krijojnë një atmosferë nostalgjike, duke rikthyer kujtime dhe emocione të brezave të mëparshëm.
Në këtë hapësirë, tradita është ndërthurur me elementë modernë, duke sjellë folklorin korçar në një formë bashkëkohore dhe tërheqëse për publikun.
Komente







