Deklaratë e kryetares së Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana VokshiTIRANË, 22 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ - Deputetja e PD-së dhe njëkohësisht kryetare e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi, u shpreh sot në një deklaratë për shtyp se në këto 300 ditë "shqiptarët përjetuan shëndetësi kaotike, të sponsorizuar nga mendjet e mbrapshta dhe interesat klienteliste rilindase".
"Sot nuk kemi ende shëndetësi falas, por kemi vetëm propagandë falas. Sot kemi shëndetësi të përkeqësuar në çdo drejtim, kemi shëndetësi të përkeqësuar në çdo shërbim", tha Vokshi.
Sipas saj, "biografia e ilaceve caktohet nga ministri mbi bazë tarafesh dhe interesash. Emërimet në mjekësi kalojnë në zarfe". "Sot drejtorë spitalesh janë bërë mjekë të dënuar më parë për krime dhe për shpërdorim detyre. Farmacitë e kushërinjve kanë mbirë kudo në dyert e spitaleve. Sot qytetarët e vendit paguajnë shumë më shumë dhe vuajnë akoma më shumë në dyert e spitaleve. Kjo pra është e vërteta e shëndetësisë së rilindur të Edi Ramës", theksoi deputetja Vokshi. /a.ke/