TIRANË - Partia Demokratike ka hedhur akuza ndaj qeverisë, pas marrjes së vendimit të marrë për prishjen e ndërtimeve pa leje. Gjatë një konference për median nga selia e PD, deputeti, Eduart Halimi ka deklaruar se, qeveria ka marrë vendim për prishjen e ndërtimeve që janë të ligjshme.

“Pronat që kanë ndërtuar shqiptarët me leje, janë prona të ligjshme dhe që mbrohen nga konventat europiane. Pronat mund të preken vetëm me një vendim gjykate. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, një leje ndërtimi nuk mund të hidhet poshtë me vendim qeverie”, tha Halimi. Ky i fundit, ka rënditur pesë raste kur me vendim qeveri një pronë do të shembet.

Halimi u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos lejojnë prishjen e pronës së tyre.

“PD i bën thirrje të gjithë punonjësve të rendit dhe nëpunsve të shtetit, të mos prekin pronat e ligjshme. Shkatërrimi i pronave është krim dhe krimi ndëshkohet. PD, i bën thirrje qytetarëve, mos lejoni që prona juaj të preket nga gansterët. Mos iu nënshtroni veprimeve arbitrare. Njoftoni në kohën më të shkurtër deputetin e opozitës për ti kërkuar ndihmë. Dokumentoni gjithçka, në audio dhe video. Prona juaj e ligjshme është djersa juaj, gjaku dhe mos lejoni ata që tua prishë atë. PD do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese që të anullojë këtë vendim”, tha deputeti demokrat, Eduart Halimi gjatë konferencës së shtypit.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)