TIRANE- Partia Demokratike ka sulmuar emërimet e reja të bëra nga qeveria. Deputeti i PD-së Alban Zeneli në një deklaratë për media ka goditur drejtorin e ri të Burgjeve, se ka një të shkuar kriminale. Sipas PD-së, Enrik Sulejmani, i cili sot është emëruar Drejtor i Përgjithshëm e Burgjeve, në vitin 2003 është arrestuar me akuzën e trafikimit të qënieve njerëzore. “Pak ditë më parë, Enrik Sulejmani rilindi, u gradua, u emërua Drejtor i Pergjithshëm i Policisë së Burgjeve. Njeriu që u shkarkua nga një ish-ministër socialist sot me LSI-në si trafikant dhe njollë turpi i policisë së shtetit para 10 vitesh, u rilind pak ditë më parë duke u emëruar në krye të rreth 3000 policëve të burgjeve, dhe u ngarkua të ruaje të gjitha bandat e trafikut ndërkombëtar.

Të gjithë mediat kombëtare, por dhe ato ndërkombëtare, për javë të tëra, i treguan qytetarëve se si Rinasi, aeorporti i vetëm ndërkombëtar në vend, ishte kthyer në portën e trafikut të qenieve njerëzore. Kryepolici i Rinasit, rojtari që qytetarët i kishin besuar portën, e përdori atë për trafik ndërkombëtar të qenieve njerëzore, duke i vënë një njollë të madhe policisë shqiptare në të gjitha mediat ndërkombëtare dhe duke e futur Shqipërinë në listat e zeza të trafikut”, është shprehur deputeti i PD-së Alban Zeneli.

Ai ka vijuar me një tufë akuzash mbi emrin e Enrik Sulejmanit. “Ai që porten që lidhte Shqipërinë me boten, e shndërroi në portën e trafikut ndërkombëtar, sot pas 10 vitesh po i besojnë çelësat e qelive të trafikantëve”, është shprehur Zeneli. Por, sipas tij, ky emërim nuk është është pengesë për mazhorancën Rama - Meta. “Pa asnjë kriter, pa asnjë konkurs, në mungesë të plotë të transparencës me publikun, në kundërshtim të hapur me ligjin, ata emëruan në pozicionin më të lartë të policisë së burgjeve, kryegardianin, një krye të akuzuar për trafik ndërkombëtar, duke kërcënuar sigurinë publike në vend. Këto janë standartet e kësaj qeverie”, përfundoi Zeneli.
 
Shkrimi u publikua sot (23.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)