PD, amendament në Kuvend për ta
ndalur rikandidimin e Kokëdhimës 

PD, amendament në Kuvend për ta<br />ndalur rikandidimin e Kokëdhimës 
Edhe pse dekriminalizimi nuk ka prodhuar deri më sot qoftë edhe një dorëheqje në funksionet publike, Partia Demokratike po përpiqet të kthejë në kauzë një tjetër çështje, atë të dekusarizimit. Nuk dihet nëse do të jetë apo jo kusht për votimin e reformës në drejtësi, por opozita shqiptare ka paralajmëruar paraqitjen e një amendamenti në Kuvendit, të quajtur amendamenti i dekusarizimit. Amendamenti i PD tingëllon posaçërisht për Koço Kokëdhimën, të cilin Gjykata Kushtetueses e përjashtoi nga Parlamenti. “Partia Demokratike depoziton sot në parlament amendamentin e dekusarizimit:

Ndalimin e rikandidimit ose emërimit në funksione publike të atyre që humbasin mandatin e deputetit sepse shkelin Kushtetutën duke zhvatur paratë dhe pasuritë publike të shqiptarëve”, shkruan kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Nëse ky amendament pranohet nga mazhoranca, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë, Koço Kokëdhima dhe Ilir Beqaj nuk mund të mbajnë asnjë funksion publik si dhe nuk mund të zgjidhjen deputetë në zgjedhjet e 2017. Ky debat u zhvendos edhe në Kuvend, kur Edi Paloka dhe Gramoz Ruçi replikuan gjatë për këtë çështje.

“Para pak ditësh, i fundmi i listës së “Rilindjes”, Koço Kokëdhima, iu bashkua listës nr.2 të “Rilindjes” që tashmë është ose jashtë parlamentit ose në burg.  Për këtë arsye, ne sot kemi depozituar një amendament kushtetues, ku kërkojmë që në vazhdën e logjikës së Ligjit për Dekriminalizimin, jo vetëm kriminelët ordinerë, trafikantë droge, prostitutash, vrasësh etj, që sot janë futur në listën e dytë të Rilindjes, jashtë këtij parlamenti por dhe këta që kryejnë krime kushtetuese, të mos kenë të drejtë rizgjidhen as në këtë parlament dhe as në institucione të tjera shtetërore. E njëjta gjë po përgatitet me Koçon. Nuk e dinë apo nuk e dinë këta, por pak rëndësi ka. Po përgatitet të sjellë Koçon Ministër të Turizmit”-tha Paloka. Ai ftoi socialistët të votojnë nismën e PD-së.

“Unë kërkoj që pavarësisht urdhrit politik që do të marrin, që bashkë me ndryshimet e tjera kushtetuese, deputetët socialistë t’i bashkohen grupit të PD-së dhe ta votojnë këtë amendament. Ne këtë amendament e kemi cilësuar Amendamenti i Dekusarizimit”-tha Paloka. Në përgjigje të tij, homologu socialist, Gramoz Ruçi tha se ulërima demokrate po bëhet për një kushtetutë që më herët e kishin quajtur leckë. “Lidhur me Kushtetutën, do doja ti kujtoja kolegut që të mos qajë kaq shumë. Kjo Kushtetutë është miratuar në vitin 1998, kur ju nuk morët pjesë fare në të, por do ta deligjitimonit atë. Këtë Kushtetutë e anatemuat gjatë tetë viteve që ishit në opozitë, 1998-2005. Madje nga kjo foltore ku folët ju dhe unë tani, ju e keni quajtur as më shumë as më pak, por leckë. Këtë Kushtetutë pasi erdhët në pushtet dhe qeverisët për tetë vite 2005-2013, e shkelët plot 40 herë, me vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese. Anatemoni për një vendim që mori Gjykata Kushtetuese në raport me një  kolegun tonë, të cilin nuk është aspak e vërtetë që ne nuk e kemi pranuar. Përkundrazi, kur flet gjykata ne heshtim, pavarësisht nga rezervat që kemi për to në kuadër të bërjes së reformës”-tha Ruçi.
 

Redaksia online
A.N shqiptarja.com

Redaksia Online
(F.T/shqipstarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë