Alibeaj kërkesë KQZ dhe AMA-s: Hetoni ata që e prezantojnë Berishën si kryetar të PD-së

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, të ndalojë përdorimin e emrin, logo-s dhe simboleve të partisë të PD-së nga subjekte të tjera zgjedhore, dhe të nisin një hetim administrativ ndaj mediave që sipas tij po konfuzojnë votuesin duke e cilësuar Sali Berishën kryetar të partisë. 

Alibeaj ka bërë ankesë zyrtare pranë KQZ-së dhe AMA-s, duke theksuar se ka vetëm një PD legjitime të regjistruar në zgjedhjet e 14 majit.

'Disa media audiovizive me frekuencë kombëtare i referohen deputetit Sali Berisha si “Kryetar i Partisë Demokratike” dhe “Partia Demokratike Grupi i Rithemelimit”.  Kjo sjellje përvecse përbën keqinformim, krijon konfuzion të qytetarëve, përsa i përket lidershipit zyrtar të kësaj force politike, pjesëmarrjes në zgjedhje dhe kandidaturave të mbështetura nga ana e saj”'- thuhet në ankesën e Alibeajt.

Lidhur më këtë, kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike ka kërkuar që të kryhet një hetim administrativ dhe marrjen e masave të nevojshme për garantimin e informimit objektiv dhe të vërtetë të qytetarëve

'Në rastin konkret, është e qartë se paraqitja e z. Berisha si kryetar i Partisë Demokratike, apo i fakteve të tjera referuar këtij subjekti zgjedhor lidhur me kandidatët e mbështetur, përkatësinë e kandidatëve në këtë forcë politike apo koalicionet në të cilat ajo është pjesmarrëse është një informacion i pavërtetë dhe që paraqet haptazi njëanshmëri politike në debatin e brendshëm të kësaj force politike. Në këto kushte, në cilësinë e Kryetarit të Komanduar të Partisë Demokratike kërkoj nga ana juaj fillimin e menjëhershëm të një hetimi administrativ dhe marrjen e masave të nevojshme për garantimin e informimit objektiv dhe të vërtetë të qytetarëve.'- thuhet ndër të tjera në ankesën e PD-së.

Ankesa e plotë e Alibeajt

Tiranë më 13.04.2023

Lënda: Ankesë lidhur me keqinformimin nga disa subjekte mediatike. 

Drejtuar: Znj. Armela KRASNIQI
            Kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive

            Znj. Desada METAJ
            Zëvëndëskryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive

            Z. Ilirjan Celibashi 
            Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve.

Të Nderuar, 

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve me vendimin numër 179, datë 18.03.2023 ka vendosur: “Regjistrimin e partisë politike “Partia Demokratike”, me shkronja nistore “PDSH”, me nënkryetarin, z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë, si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.  Ky vendim së bashku me vendimin e datës 03.03.2023 të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm kanë zgjidhur në mënyrë përfundimtare legjitimitetin e drejtuesve të Partisë Demokratike, pjesmarrjen e saj si subjekt zgjedhor dhe përfaqsimin e saj gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme vendore të datës14 maj 2023. 

Pamvarësisht qartësisë së prodhuar nga institucionet e cituara më lartë konstatojmë se disa media audiovizive me frekuencë kombëtare në raportimet e tyre lidhur me zhvillimet në Partinë Demokratike, i referohen deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Sali Berisha, si “Kryetar i Partisë Demokratike”, “Partia Demokratike Grupi i Rithemelimit” “Fraksioni i rithemelimit në Partinë Demokratike” etj. 

Megjithëse drejtimi i Partisë Demokratike dhe mosregjistrimi i grupimit të vetëquajtur “Rithemelimi” si subjekt zgjedhor këto janë fakte publike, të njohura dhe të raportuara nga vetë subjektet mediatike, këto të fundit vazhdojnë që në shkelje të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, t’i referohen z. Berisha, si kryetar i Partisë Demokratike dhe të përdorin në emisioniet informuese qëndrime që nuk përkojnë me realitetin ligjor dhe zgjedhor. Kjo sjellje përvecse përbën keqinformim, krijon konfuzion të qytetarëve, përsa i përket lidershipit zyrtar të kësaj force politike, pjesmarrjes në zgjedhje dhe kandidaturave të mbështetura nga ana e saj, duke passjellë cënimin e interesit publik.  

Neni 4, pika 1, gërma “ç” e ligjit nr. 97/203 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” (në vijim “Ligji nr. 97/2013”), parashikon se: “Transmetimet audiovizive zhvillohen mbi bazën e këtyre parimeve: ç) veprimtaria e transmetimeve audiovizive siguron informim objektiv dhe të paanshëm të publikut, duke paraqitur në mënyrë të saktë faktet dhe ngjarjet, si dhe duke respektuar formimin e lirë të opinionit.”. 

Në listën e detyrimeve për ofruesit e shërbimeve mediatike audiovizive përcaktohet se: “1. Ofruesi i shërbimit mediatik audioviziv duhet: a) të njoftojë dhe të paraqesë lajmet në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive; b) të sigurojë që trajtimi i ngjarjeve, përfshirë çështjet, që janë tema të debatit publik, të jetë i drejtë për të gjitha subjektet e interesuara në këto çështje dhe të paraqitet në mënyrë të vërtetë dhe të paanshme; 2. Përcaktimet e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni nuk e ndalojnë OSHMA-në të transmetojë veprimtaritë e forcave politike. OSHMA-ja, gjatë kohës së këtij transmetimi, nuk duhet të shfaqë anshmëri politike.” (shih nenin 33). 

Gjithashtu neni 85 i Kodit Zgjedhor në pikën 5 të tij njeh dhe përcakton të drejtën e KQZ që të kërkojë korrigjimin e sjelljes nga ana e operatorëve radiotelevizive, kur kjo e fundit konstatohet se shkel parimet dhe frymën e Kodit Zgjedhor përsa i përket pasqyrimit të fushatës zgjedhore. 

Dispozitat e sipërcituara imponojnë detyrimin për mediat audiovizive që informacioni i përcjellë të jetë objektiv, i vërtetë dhe i paanshëm. Në të kundërt, referuar nenit 19, pika 3 të ligjit nr. 97/2013, AMA ka detyrimin të konstatojë shkeljen e kryer dhe të vendosë sanksionet ligjore. Në rastin konkret, është e qartë se paraqitja e z. Berisha si kryetar i Partisë Demokratike, apo i fakteve të tjera referuar këtij subjekti zgjedhor lidhur me kandidatët e mbështetur, përkatësinë e kandidatëve në këtë forcë politike apo koalicionet në të cilat ajo është pjesmarrëse është një informacion i pavërtetë dhe që paraqet haptazi njëanshmëri politike në debatin e brendshëm të kësaj force politike. 

Në këto kushte, në cilësinë e Kryetarit të Komanduar të Partisë Demokratike kërkoj nga ana juaj fillimin e menjëhershëm të një hetimi administrativ dhe marrjen e masave të nevojshme për garantimin e informimit objektiv dhe të vërtetë të qytetarëve.  Duke ju falënderuar për bashkëpunimin. KRYETARI I KOMANDUAR Enkelejd Alibeaj

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Yjet tregojnë se do të ketë perspektiva dhe mundësi të reja për avancim në karrierë, horoskopi per sot

Yjet tregojnë se do të ketë perspektiva dhe mundësi të reja për avancim në karrierë, horoskopi per sot