Pavarësisht kërkesës së opozitës drejtuar Niko Peleshit, ka nisur me dyer të mbyllura për mediat mbledhja e Byrosë së Kuvendit, për të shqyrtuar ankimimin e PD-së për përjashtimin e 6 deputetëve demokratë nga seancat plenare për 30 ditë. Kjo pasi PS rrëzoi kërkesën e PD-së që mbledhja të zhvillohej e hapur për mediat.
Deputetët e përjashtuar të PD-së që janë prezentë në mbledhje, janë futur live përmes celularëve të tyre në rrjetet sociale, ku po pasqyrojnë një pjesë të asaj që po ndodh atje.
Mbledhja duket se është shoqëruar me debate të forta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, ku këta të fundit akuzojnë ligjvënësit e PS-së se kishin frikë nga prezenca e mediave dhe se po bunkerizojnë Kuvendin.
Po ashtu në qëndrimin e tyre, deputetët e PD-së janë shprehur se po bëjnë një betejë për një vend demokratik, për të mirën e qytetarëve shqiptarë. Ata pretenduan se po persekutoheshin nga mazhoranca, duke u përjashtuar nga punimet e Kuvendit.
Deputeti Agron Gjekmarkaj tha mes të tjerash se qeveria e Edi Ramës është e korruptuar dhe e lidhur me krimin e organizuar, teksa e krahasoi pushtetin e kryeministrit të ngjashëm me komunizmin.
“Ju jeni në logjikën e kartonave dhe jo në logjikën e së drejtës. Kryetari i Kuvendit ka preferuar të shmanget. Kjo është tregues dobësie. Deputetët e opozitës po bëjnë atë që ju nuk keni guxim ta bëni. Po bëjnë një betejë për një vend demokratik, që etërit e tyre e kanë marrë peng. Po bëjnë betejë për shtetin e së drejtës, të cilin ju e sulmoni dhe e keni marrë peng me korrupsion. Haxhi Lleshi ka qenë më tolerant me deputetët e tij në komunizëm sesa bijtë e Haxhi Lleshit sot përballë opozitës”, tha mes të tjerash Gjekmarkaj.
Kujtojmë se në 23 dhjetor të vitit të kaluar, Komisioni i Etikës, me kërkesë të PS-së, përjashtoi 6 deputetë të Partisë Demokratike me nga 30 ditë. Deputetët e përjashtuar për 30 ditë janë: 'Belind Këllici, Fidel Kreta, Albana Vokshi, Klevis Balliu, Flamur Noka dhe Elda Hoti.'
Masa disiplinore ndaj tyre ka nisur të zbatohet më 19 janar 2026 dhe do të zgjasë deri më 19 shkurt 2026.
Po ashtu sjellim në vëmendje se PS kërkoi në mbledhjen e Komisionit të Etikës në 23 dhjetor përjashtimin e 29 deputetëve të PD-së pas kaosit në Kuvend, por 23 prej tyre ja hodhën paq.
Komente











