TIRANË - Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi ka dhënë sot një tjetër deklaratë për media lidhur me praninë e vëllait të Kryeministrit, Olsi Rama në një delegacion zyrtar në Izrael.
 
Ashtu si dy ditë më parë, Partia Demokratike ngriti shqetësimin për praninë e vëllait të Kryeministrit, dhe theksoi se "pyetjet që bëri Partia Demokratike janë pyetjet e çdo shqiptari": A është Olsi Rama përfaqësues i biznesit?  A është ai përfaqësues i qeverisë në këto takime?  Pse gjendej në një delegacion me zv-Kryeministrin dhe ministrin e Bujqësisë?
 
Më tej, deklarata e PD e ka quajtur "zhgënjyes" reagimin e kryeministrit. "Asnjë transparencë dhe asnjë përgjigje për pyetjet tona. Nga verifikimi, rezulton se Olsi Rama nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë biznes të regjistruar në Shqipëri. Atëherë, edhe një herë po pyesim sot, cili është roli i vëllait të Kryeministrit në të tilla vizita dhe në të tilla delegacione zyrtare jashtë vendit?", përfundon deklarata e PD.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)