Partia Demokratike ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e ligjit për ‘Paketën e Maleve’.

Përmes një kërkese të nënshkruar nga 37 deputetë të Grupit Parlamentar të PD-së, është argumentuar se Ligji për Paketën e Maleve është në shkelje të Kushtetutës

Në kërkesë është argumentuar se Ligji për Paketën e Maleve:
Cënon parimin e sigurisë juridike (shih nenin 4 tëKushtetutës);
(ii) Cënon parimin e barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit (shih nenin 18 të Kushtetutës);
(iii) Cënon të drejtën e pronës dhe procesin e rregullt ligjor (shih nenet 11, 41 dhe 42 të Kushtetutës);
(iv) Cënon të drejtën për informimin e gjendjes së mjedisit dhe mbrojtes së tij (shih nenet 56 dhe 59 tëKushtetutës);
(v) Cënon parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore (shih nenet 13, 108, 111 dhe 113 të Kushtetutës);
(vi) Cënon parimin e hierarkisë së normave (shih nenin 81 dhe 116 të Kushtetutës).

Ndërkohë është caktuar edhe relatori që do të shqyrtojë kërkesën e Grupit Parlamentar të PD-së në Gjykatën Kushtetuese, për ligjin për ‘Paketën e Maleve’. Relatore e çështjes, sipas njoftimit të vetë Gjykatës Kushtetuese, do të jetë gjyqtarja Marsida Xhaferllari.

Ligji i Paketës së Maleve u jep mundësinë të gjithë qytetarëve apo bizneseve që janë posedues faktikë të pronës shtetërore, pra e kanë përdorur si të jenë pronarë, të fitojnë pronësinë ligjërisht të këtyre pasurive, kundrejt tarifës simbolike 1 euro. Kushti i vetëm është që të vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe të paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar atë.

Po ashtu nga ky ligj përfitojnë edhe investitorët që mund të jenë persona fizik ose juridik në regjistrin tregtar, të cilët mund të bëjnë marrëveshje me personin që ka shfrytëzuar deri më tani pronën shtetërore dhe të bëjnë një investim të përbashkët.

Kujtojmë se Grupi Parlamentar i PD-së ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit, i cili refuzoi ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për kontratat e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe për kontrollin e ligjshmërisë së funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Kërkesa kryesore e PD është zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës mes deputetëve dhe Kuvendit dhe shpalljen e vendimeve lidhur me mosngritjen e komisioneve të kërkuara, si “të papajtueshme” me Kushtetutën. Sipas deputetëve, mazhoranca ka penguar ushtrimin e kompetencës kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore, si dhe ka cenuar pushtetin e pakicës parlamentare.