TIRANË, 21 Dhjetor/ATSH/.- Partia Demokratike denoncoi sot si 'të paligjshme dhe arbitrare' veprimet e autoriteteve qendrore dhe lokale për prishjen e 53 ndërtimeve të ligjshme në komunën Hudënisht, në Pogradec.
Në një deklaratë për shtyp, nënkryetari dhe deputeti i PD-së, Edmond Spaho, bën të ditur se veprimet janë bërë pas një marrëveshje të kryetarit socialist të komunës dhe autoriteteve në Tiranë për shpronësimin e këtyre familjeve. Në dokumentat e publikuara sot nga PD pretendohet se prishja e ndërtimeve për llogari të projektit për rehabilitimin e zonës së liqenit është bërë në shkelje flagrante të ligjit për shpronësimet.
Duke i kërkuar Prokurorisë që të nisë hetimin për atë që opozita e cilëson shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit për shpronësimet, PD i kërkon qeverisë të ndërpresë procesin e jashtëligjshëm të iniciuar nga autoritetet shtetërore, të cilat po terrorizojnë prej dy javësh 53 familje dhe biznese me prishjen e pronave të tyre të ligjshme, në emër të të ashtuquajturit projekt "Për Rehabilitimin e bregut të liqenit të Ohrit dhe gjelbërimit përgjatë segmentit Lin-Pogradec" dhe ta fusë atë në binarët e ligjshmërisë sikurse kërkojnë banorët e zonës.
Gjithashtu, PD i kërkon kryeministrit të shkarkojë zv/ministrin e Turizmit, kryetarin e Komunës Hudënisht dhe Drejtorin e INUK-ut Korçë si iniciuesit dhe zbatuesit e përpjekjeve për shkatërrimin e paligjshëm të banesave dhe pronave të 53 familjeve dhe bizneseve në këtë komunë./a.s//m.m/