Në vazhdën e deklaratave të PD-së, Kreshnik Çollaku ka dalë duke kujtuar se kanë kaluar 34 ditë nga incidenti i deputetit Gent Strazimiri me disa deputetë socialistë.
 
Sipas PD-së, heshtja e Edi Ramës po bëhet po aq kriminale, sa akti i tij i goditjes dhe kërcënimit me jetë të opozitës në Kuvend.

“Sa më shumë të thellohet, aq më shumë kjo heshtje e bën Edi Ramën njësoj të inkriminuar sa deputeti i tij, i dënuar me 7 vite burg për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe rrëmbim personi.”-u shpreh Çollaku.

Duke e cilësuar si një nga ngjarjet më të rënda në historinë e 23 viteve politike, Çollaku  thekson se nuk i ka lënë zgjidhje  tjetër opozitës përveçse të ndërpresë marrëdhëniet me parlamentin për të shmangur skenarët e errëta të gjakderdhjes.
 
Sipas tij, Rama prej 34 ditësh,  bën të paditurin, mbyll sytë, para dosjes penale të Arben Ndokës, që ka tronditur të gjtihë shqiptarët, dhe zgjedhësit e tij.
“Edi Rama do të dështojë në tentativën e tij, që përmes heshtjes synon të lërë në harresë ngjarjet e rënda, ose që ato të duken normale.”-shton Çollaku.

Deklarata e plotë e Kreshnik Çollakut
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)