Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Elbasan, Gazment Bardhi ka listuar ata që sipas tij po bëjnë krime zgjedhore në zonën e Elbasanit, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Bardhi tha se ka dorëzuar dosjen e plotë sipas tij me të dhëna pranë SPAK ndaj disa këtyre shtetasve për veprat penale “Grup i Strukturuar Kriminal”, “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Marrja ose përdormi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit”, dhe “Shpërdorimi i autoritetit policor”. Sipas Bardhit, Taulant Balla ka ngritur një rrjet kriminal për mbledhjen e kartave të identitetit dhe blerjen e votave.
'Gjatë javës së fundit, për shkak se kanë kuptuar braktisjen masive nga shumica dërrmuese e qytetarëve të Elbasanit, pasi ja keni thënë në sy vendimin tuaj se në 25 Prill do të votoni për ndryshimin, Taulant Balla ka ngritur një rrjet kriminal për mbledhjen e kartave të identitetit dhe blerjen e votave.
Jam sot në këtë komunikim me ju, për të njoftuar se pas evidentimit të të gjitha rasteve, kemi dorëzuar dosjen e plotë me të dhëna pranë SPAK ndaj disa shtetasve për veprat penale “Grup i Strukturuar Kriminal”, “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Marrja ose përdormi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit”, dhe “Shpërdorimi i autoritetit policor”.
Disa nga shtetasit e kallëzuar në SPAK, janë: Taulant Balla, organizator i skemës, Gjergj Luca në zonën Labinot Fushë dhe Labinot Mal, Aurel Kaja ka ngritur një rrjet personash, që bën shpërndarjen e parave në këmbim të votës për Partinë Socialiste, Ardian Peqini në Lagjen e “Kinezëve” dhe tek zona e njohur si “Isllat”, Dashamir Myzeqari në lagjen e njohur si “tek Çerdhja”, Artan Firaku, Gëzim Rusi dhe Xhevahir Njelina tek lagja “5 Maji, Ledi Hoti (Ledian) dhe Arben Veseli ne Bradashesh, Arjan Sinani ne zonen e 11 Nëntori dhe zonën e quajtur “Harqet – Firakasit”, Dhurata Mata në lagjen “Emin Matraxhiu”, Gentian Sharra në zonën e Bradasheshit dhe Fushë Mbretit, Themistokli Bebi në lagjen “Clirimi”, Tit Muzhaqi dhe Gent Derzeza në lagjen 11 Nëntori, Arian Ibershimi në lagjën “Dyli Haxhire”, Met Peqini (Meti Tujës) dhe Tit Caka, në lagjen e njohur si “Rruga e re e Trenit”, Shaqir Prroi, Donald Varfi dhe Shyqeri Hoxha, në lagjën “Haxhias”, Afrim Vullnetari, në lagjën “5 Maj”, në lokalin e njohur si “Lokali me Harqe”, që shërben edhe si bazë e shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Elbasanit, Fadil Meta, Gent Sharra, Klement Xhaferri, dhe Durim Sadiku në lagjën “Fushë-Mbret”.
Materialet e plota për këta shtetas dhe shumë të tjerë, në total 43 persona, janë dorëzuar në SPAK. Ne e nxisim organin e akuzës të veprojë më shpejtësi, t’i shërbejë ligjit dhe interesit publik, duke proceduar penalisht personat e përfshirë. Nuk ka krim elektoral, sado në errësirë e në fshehtësi të kryhet, që të mos zbulohet dhe ndëshkohet. Cilido prej tyre do të përgjigjet.'- tha Bardhi.